TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 15:11

Divani i Sulltanit apo qeveria e Vatanit

Shkruar nga Pamfleti

“Rama 2025”-Bashkia 2000, rikthimi në dy dekada e gjysëm më pas!

Divani i Sulltanit apo qeveria e Vatanit

Qeveria e katërt e Edi Ramës është kabineti më jo përfaqësues në të gjitha nivelet: politik, komunitar dhe religjoz se të gjitha qeveritë e tjera më parë.

Kabineti i katërt i Edi Ramës është arroganca më e larte e një personi që e konsideron veten Kryeministri i një vendi dhe e refuzon atë, duke sjellë si përfaqsues të tij disa persona që janë thjesht nëpunës.

Edi Rama në qeverinë e mandatit të katërt nuk ka asnjë socialist, edhe pse zv.kryeministre është Belinda Balluku dhe ministre e Jashtme Elisa Spiropali. E para ish-pjesëtare e stafit të tij në bashkinë e Tiranës në mandatin e parë dhe të dytë, e Spiropali edhe pse e zgjedhur nga Rama pas mandatit të dytë si drejtuese qarku, nuk është një socialiste ‘rrace’.

Qeveria e katërt e Ramës ka më shumë njerëz të mandatit të tij të parë në bashkinë e Tiranës sesa përfaqësues politikë të PS-së.

Blendi Gonxhe është nënkryetari i tij në bashki, Ogerta Manastirliu, Albana Koçiu dhe Belinda Balluku janë gjithashtu pjesëtar të stafit të bashkisë.

Mirela Kumbaro, ministrja më jetëgjatë e Edi Ramës është gjithashtu pjesë e tarafit të tij personal, që edhe pse e ka vënë drejtuese politike në Gjirokastër dhe Përmet, nuk ka asnjë lidhje me PS-në e zonës.

Zëvendësimi i dibranit Ulsi Manja me patriotin e tij Besford Lamallari, duket ka një synim meskin. Lamallari është mik i ngushtë i shefit të shtypit të SPAK, Fabian Zhilla, me të cilin janë bashkëautorë të një libri mbi klanet kriminale në Shqipëri, libër i financuar nga Fondacioni Soros.

Me këtë lëvizje, Rama kërkon që të shkojë me një dibran të radhës më afër lidhjes në SPAK, për të pasur akses në hetime apo edhe në strategjitë e prokurorisë speciale.

Ndërkaq, emërimi i Andis Sallës në postin e ministrit të Bujqësisë është thjesht një qokë tarafi, pasi ai njihet si mik i ngushtë i Olsi Ramës.

Me një fjalë e gjithë qeveria e katërt nuk është gjë tjetër veçse një grup lacash që i ka në kontroll, e aspak një ekip përfaqësues i vendit dhe i partisë që fitoi zgjedhjet më 11 maj.

Qeveria e re nuk ka një përfaqësim komunitetesh; nuk ka ministra nga Shkodra, Vlora, Gjirokastra, apo Durrësi. Qeveria e re nuk ka asnjë katolik përveç algoritmit digjital Diella, siç nuk ka asnjë musliman apo ortodoks përfaqësues.

Pasi kabineti i ri nuk është një qeveri përfaqësuese por një staf apendiks i Edi Ramës. Shumë pak ose askush në qeverinë e re përfaqëson dikënd, përveç afërsisë së tarafit me Edi Ramën. Kjo nuk është gjë tjetër veçse ‘divani i Sulltanit dhe jo qeveria e vatanit./Pamfleti

divani i sulltanit qeveria e vatanit

Lini një Përgjigje