Politike 2 Prill 2023, 13:55

“Pengje të Ramës”/ Alibeaj i përgjigjet Berishës: Vetëm një mendësi komuniste e përdhos kujtimin e heronjve të 2 prillit

Shkruar nga Pamfleti
“Pengje të Ramës”/ Alibeaj i përgjigjet
Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj

Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur ish kryeministrit Sali Berisha në lidhje me deklaratën e bërë nga Shkodra për zgjedhjet e 14 Majit.

Alibeaj thotë se vetëm një mendësi komuniste mund të përdhosë kujtimin e heronjve të 2 Prillit duke sulmuar ata që mendojnë ndryshe nga ai.

“Përkujtimi dhe respekti ndaj atyre që jetën dhanë në 2 prill, bëhet me nderim e në heshtje. Me reflektim të ndjerë e të thellë për çka dhe përse amaneti i antikomunizmit, lirisë dhe demokracisë ende nuk është çuar në vend! E vend për faj e përgjegjësi ka për çdokënd që pati mundësinë për të kontribuar në këtë drejtim. Nëse nuk ka dashur a mundur sot duhet veçse të heshtë!

Veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai.

Ata që dhanë jetën në 2 prill në emër të lirisë dhe demokracisë së munguar për dekada meritojnë respektin dhe nderimin më të lartë sot. Në ditën kur ende zgjatimet e komunizmit përpiqen të mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve për interesat e tyre personale.

Në nderim të jetës së dhënë nga heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Çeka, të gjithë duhet të perulemi me respekt dhe të vlerësojmë më gjakftohtësi dhe seriozitet rrugëtimin politik të PD në këto 30 vjet. Në emër të vlerave të së cilës ata u vranë pabesisht nga regjimi komunist.

Vlerësimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e heronjve të 2 prillit do të mbetet në themelet e vlerave mbi të cilat PD u ngrit. Ndaj sot reflektimi për këto vlera duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për të çuar në vend jo vetëm dëshirën por dhe idealin e të gjithë atyre që dhanë jetën që sot të jemi të lirë në një vend demokratik. Për të respektuar çdo mendim dhe alternativë dhe jo për t’iu dorëzuar kultit të individit që na mbajti peng për gati 50 vjet!”, shkruan Alibeaj.

Ditën e sotme gjatë ceremonisë përkujtimore të masakrës së dy prillit në Shkodër, Sali Berisha sulmoi Alibeajn se është i shitur dhe preng te Rama.

Teksa fliste për gazetarët pas ceremonisë, ai u shpreh i sigurt se Partia Demokratike do të dalë fituese në këto zgjedhje se nuk i duhet dhënë asnjë votë PD-së zyrtare pasi i shkon Ramës.

“Binomi, Basha, Alibasha përbën shëmtirën politike më të madhe në 32 vite. Pengjet më të keqpërdorura në historinë politike të Shqipërisë. Çdo votë për ta është votë për Edi Ramën. Nuk ka diskutim që ata faktojnë që nuk kanë merituar asnjë besim, asnjë mbështetje sepse janë persona që shkelmojnë në radhë të parë mbi veten e tyre. Sillen si pengje pa asnjë lloj vlere.”, tha Berisha.

 

alibeaj berisha