Ish-Presidenti, Ilir Meta së bashku me 3 të pandehurit e tjerë, mes të cilëve ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi do të dalin të mërkurën përpara Gjykatës së Posaçme.
Ish-presidenti Ilir Meta del sot në orën nëntë e gjysmë para Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Së bashku me Metën do të dalin para gjykatës edhe Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot, me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit për personat nën hetim Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”., njofton GJKKO.
Bazuar në nenin 248 pika 1 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 23.10.2024 ora 09:30”, sipas njoftimit të GJKKO.
Ai u arrestua një ditë më parë në hyrje të Tiranës, ndërsa po kthehej nga Kosova.
Njoftimi i SPAK për arrestimin e tij bën të ditur se ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në të tre rastet. Në rastin e parë akuzohet për çështjen CEZ-DIA, ndërsa në rastin e dytë se ka ndërhyrë në favor të një kompanie komunikimi për të lidhur kontratë interkonjeksioni, gjatë kohës kur ishte kryetar i Kuvendit në aleancë me PS. Në rastin e tretë, akuzohet se ka përfituar përkohësisht një vilë nga marrëdhëniet korruptive me “biznesmenin S.M.”
Meta është gjithashtu politikani që ka ndërruar krah politik katër herë, në një histori të mbushur me miq të kthyer në armiq të betuar dhe anasjelltas.
I lindur në vitin 1969, Meta u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i jashtëm në vitin 2002, në emër të Partisë Socialiste. Ai ishte kryeministër në kohën e zgjedhjeve të vitit 2001, një palë zgjedhje të konsideruar gjerësisht si të manipuluara.
Qeverisja e tij si kryeministër u shoqërua me një situatë konflikti politik ekstrem. Partia Demokratike në opozitë në atë kohë, organizonte protesta të përditshme. Në një rast, policia arresoi kreun e saj, Sali Berishën.
Meta gjithashtu nisi një proces divorci nga bashkëshortja, deputetja Monika Kryemadhi më herët këtë vit, dhe deklaroi se divorci po bëhej për “arsye politike”. Gjatë kësaj kohe ai u përpoq të riprofilizonte vetveten si një politikan i modelit “Orban” duke bërë deklarata në mbrojtje të familjes dhe duke premtuar politika probiznes.
Lini një Përgjigje