
Nesër në Apel mbahet seanca për vulën e PD dhe nëse gjykata vendos kundër Berishës, ai duhet të dalë nga selia blu dhe nuk kthehet dot më...
E premtja e 3 marsit pritet të jetë një ditë jo e qetë për Sali Berishën. Ndonëse në orën 12.00, ai ka thirrur një tubim para Kryeministrisë, në fakt sy e veshë ai do të jetë te Gjykata e Apelit. Kjo gjykatë ka në dorë fatin e PD dhe nesër do të vendosë ndoshta edhe për karrierën politike të Sali Berishës. Rreth orës 11.00, Berisha pritet të shkojë në seli dhe nga aty do të ndjekë me kërshëri zhvillimet në gjykatë, pasi nga ajo që do të vendoset aty, do të përcaktohet dhe fati i protestës.
Por pse kjo seancë është kaq e rëndësishme?
Gjyqtari Agron Zhukri pranoi ndryshimet statutore të Kuvendit të Berishës më 11 dhjetor 2021, duke hapur kështu një kurs përplasje në parti. Enkelejd Alibeaj e cilësoi të papranueshëm këtë statut, pasi u votua nga delegatë të zgjedhur nga vetë Berisha. Çështja shkoi në Apel dhe pas disa seancave zvarritje, nesër do ketë një seancë që pritet të ndahet “shapi nga sheqeri”. Çfarëdo që të ndodhë nesër, ka rëndësi të madhe politike, sidomos për Berishën.
Nëse Apeli nuk arrin të marrë dot vendim dhe seanca shtyhet (sikundër ka ndodhur disa herë deri më sot), i humburi i madh është Berisha. Më 6 mars, KQZ mbyll regjistrimin e partive për zgjedhjet e 14 majit dhe për sa kohë Apeli nuk ka folur, vulën e ka në xhep Alibeaj. Pra këtij të fundit i takon e drejta të dërgojë kandidatët.
Nëse ndodh që Apeli rrëzon vendimin e Agron Zhukrit, atëherë mund të themi se Berisha e ka pisk punën. Të gjitha aktet e miratuara deri më tani nga Komisioni i Rithemelimit nuk kanë vlerë. Këshilli Kombëtar, Kuvendi, Kryesia shkrihen dhe ligjërohen institucionet që ishin në kohën e Bashës. Për pasojë del nul procesi i zgjedhjes së kryetarit. Pra Berisha nuk mund të quhet kryetar i PD. Kjo do të thotë se Alibeajt i lind e drejta të hapë zgjedhjet për kreun e ri të PD dhe Berisha nuk ka të drejtë të kandidojë. Kur Basha ishte kryetar, u mor vendimi që emrat “non grata” të përjashtohen nga postet drejtuese. Pra, me pak fjalë, Apeli nesër mund ta nxjerrë Berishën nga PD.
Skenari i fundit është që të mbetet në fuqi vendimi i Zhukrit dhe Berisha merr PD, por sërish do kemi një ndarje të saj. Një numër i madh deputetësh me shumë mundësi do të dalin me parti apo me grup më vete dhe Berisha do ketë pas vetes vetëm besnikët e tij. Duket se tani gjithçka është në dorë të gjykatës dhe të gjithë janë sy e veshë te Apeli. /Pamfleti
Lini një Përgjigje