Editorial21 Shkurt 2024, 11:00

Edi Rama shkeli ‘vijën e kuqe’ në Stamboll; nis përplasja mes myslimanëve shqiptarë!

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama shkeli ‘vijën e kuqe’ në Stamboll; nis
Edi Rama dhe Rexhep Taip Erdogan /

 Në xhaminë e drejtuar nga Ahmet Kalaja, është një zhvillim që tregon se ka nisur një luftë e fortë në mes myslimanëve, e cila do të vijojë deri në zgjedhjet e 2025...

Nuk ka kaluar as 2 orë nga marrëveshja mes Rexhep Tajip Erdogan dhe Edi Ramës në Ankara, e pasojat kanë nisur traumatike, madje tragjike.

Një nga faltoret më të rëndësishme të Zotit në kryeqytetin shqiptar, xhamia e Rrugës së Kavajës, është shndërruar mbrëmë në një zonë linçimi, ngjashëm me inkuizicionin mesjetar, por nga krahu tjetër.

Në mungesë të një fuqie për të hequr kreun e Komunitetit Musliman Shqiptar, Edi Rama i ka dhënë dorë të lirë krahut ekstremist të sulltanit të linçojë “qafirat” sipas tij, por kush e ndan kush është qafiri i vërtetë?!

E pa u zbardhur ende dokumentet, në xhamitë kryesore të Tiranës ka nisur një luftë, që të kujton mesjetën, kur për interesin e Mbretit të Francës, Filipit të Bukur, u persekutua një rrjet i madh besimtarësh, praktikantësh dhe luftëtarësh, që janë edhe sot legjendë e që njihen me emrin Kalorësit Templarë apo Kalorësit e Urdhrit të Tempullit.

Në xhaminë më kryesore të Tiranës, atë të Rrugës së Kavajës, ku drejtues është një personazh i lidhur me pushtetin, i pashkarkuar nga KMSH, edhe pse është kundërshtar i tyre, ka nisur një akt skandaloz. Ku një autoriteti zyrtar siç është myftiu i Tiranës, i janë vërsulur besimtarët brenda në xhami, ku me kuran e hadith,  xhamia është vendi i faljes dhe përqafimit.

E kanë bërë këtë për të treguar se Sulltani ka nisur të lëshojë rrufetë e tij pas takimit me pashain Edi, e nuk do të tolerojë më. Një skandal, ku për herë të parë në historinë e fesë myslimane në Shqipëri, një xhami bëhet objekt i një lufte sektare, a thua se jemi në Irak. E nga ana tjetër, nuk ka ndodhur që një myfti, pra një autoritet ligjor i religjionit të kontestohet.

Me këtë zhvillim, Edi Rama ka shkelur vijën e kuqe, pasi amerikanët i kanë vënë kusht që të mos largojë drejtuesit e KMSH. Por Rama e bëri, sepse, duket është i kapur nga Erdogan dhe është dorëzuar.

Strategjikisht, Edi Rama nuk është më njeri i amerikanëve, por i Erdoganit. E sipas një logjike, së shpejti do të zhvillohet lufta e hapur ndërmjet Uashingtonit e Ankarasë, por siç kanë treguar faktet, në fund fiton SHBA.

Edi Rama, nuk kishte dëshirën që t’i dorëzohej Sulltanit, e de jure nuk e ka bërë, pasi nuk ka marrë një vendim për të shkrirë apo larguar KMSH. Por në rastin e një lufte mes myslimanëve, qeveria do të ndërhyjë për të qetësuar situatën.

Por e gjitha kjo nuk është reale, është thjesht përplasje elitash, që edhe mund të ndodhë, por erdoganistët nuk duan të bëjnë debat apo zgjedhje, por të linçojnë e të quajnë heretikë gylenistët. Që në fakt nuk reshtin për t’i bërë.

Gylenistët mund të kenë problemet e tyre, por akuza për herezi, pra njeri që ka shkelë ‘dërrasën e kalbur në fe’, do një gjykim të pavarur. Pasi hoxhallarët e Bablokut e shkelin përditë etikën, por edhe kufijtë e tjerë religjiozë për të marrë pushtet. Megjithatë, ajo që ka ndodhur në xhaminë e drejtuar nga Ahmet Kalaja, është një zhvillim që tregon se ka nisur një luftë e fortë në mes myslimanëve, e cila do të vijojë deri në zgjedhjet e 2025./Pamfleti

 

rama erdogan vija e kuqe përplasja mes myslimanëve