Të 34 anëtarët socialistë në Këshillin Bashkiak Tiranë, të mbledhur në selinë e Partisë së tyre, kanë rënë dakord njëzëri me propozimin e kryesocialistit Edi Rama për të shkarkuar Erion Veliajn si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në mënyrë unanime ata firmosën të gjithë së bashku tekstin e kërkesës për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj për shkak të mungesës së tij tre muaj rresht në detyrën që i kishin ngarkuar qytetarët e kryeqytetit.
Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës i referohen pikës c, të nenit 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”, ku përcaktohet se kryetari i bashkisë shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Këshillit Bashkiak kur mungon në detyrë për tre muaj pa ndërprerje.
Shkarkimi i Veliajt, i cili prej shtatë muajsh ndodhet në qelinë e paraburgimit në Durrës, pritet që të hidhet në votim të martën, më 23 shtator, në orën 16:00 pasdite.
Ndërkohë, nuk është diskutuar thirrja e Veliajt për të folur në këshill përpara votimit. Në Asamblenë e PS-së një javë më parë, kryeministri Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak nisjen e procedurës për largimin e Veliajt, duke bërë të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.
Lini një Përgjigje