Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas zgjedhjes së Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar procesin si një “rrëmbim” të institucionit të fundit që më herët ishte bazuar në konsensus.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi mazhorancën se ka përmbysur një praktikë të vendosur ndër vite, duke mos respektuar kandidaturat e propozuara dhe procesin e dakordësuar.
Ai theksoi se zgjedhja e kreut të ri të Avokatit të Popullit është tregues i kapjes së institucioneve dhe i mungesës së dialogut mes palëve politike.
"Një proces i instaluar prej shumë vitesh u përmbys dje duke rrëmbyer dhe institucionin e fundit. Kishte ngelur gjysmë, sepse zonja Ballanca ka qenë kandidaturë e pëlqyer nga të dyja palët. Ky segment kishte ngelur. Refuzoi në mënyrë kategorike Besim Ndregjonin, Adriana Kalanë, çdo kandidaturë të mbështetur nga PD dhe grabiti opozitën që donte në kundërshtim, duke i futur një thikë të madhe një procesi delikat e vështirë, por që dëshmon se Rama është i gatshëm të shkelmojë çdo gjë.
Nuk po ndalem në zgjedhjen e kreut të SPAK, edhe përqendrimi aq i lartë i trupit diplomatik, lë shumë të dyshohet se u bë me qëllimin e vetëm për të neutralizuar dorën e zezë të Ramës dhe anëtarëve të KLP=së. Kanë qenë ambasadorë, por jo të gjithë ashtu siç ishte. Donin të jepnin mesazh që qeveria të mos mund të merrte, siç mori Endri Shabanin, edhe kandidatin që donin në këtë proces", tha Berisha.
Lini një Përgjigje