Politike22 Shkurt 2024, 12:50

Erdogan e falenderoi Ramën për votën “kundër” Amerikës në OKB

Shkruar nga Pamfleti
Erdogan e falenderoi Ramën për votën “kundër”
Edi Rama dhe Erdogan

Por duket se kjo votë, jo në të njëjtën linjë me Amerikën, për të cilën e falenderoi Erdogani ka kaluar pa lënë shenjë në marrëdhëniet met Uashingtonit dhe Tiranës.

Ankaraja ka marrë flamurin e kauzës palestineze në botën muslimane, Tirana është rreshtuar pas atyre që promovojnë të drejtën e shtetit të Izraelit “për vetëmbrojtje”, por kjo nuk e ka penguar presidentin turk Erdogan të falenderojë kryeministrin Rama “për përkrahjen e popullit palestinez në mes të katastrofës humanitare si pasojë e sulmeve të Izraelit në Gaza”.

Këto deklarata që i përcolli e përditshmja turke Dailysabah u bënë gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar të martën në Turqi. Erdogan e precizoi edhe shkakun e falenderimit të tij. “Me votën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria hodhi hapin e duhur. Solidariteti i saj me popullin e shtypur palestinez në këtë kohë është shumë i rëndësishëm”, tha ai sipas agjensisë zyrtare turke Anadolu.

Votimi të cilit presidenti turk i referohet ndodhi gjatë dhjetorit të vitit të shkuar. Pasi në Këshillin e sigurimit, ku bënte pjesë dhe Shqipëria, ShBA-të vendosën veton kundër një rezolute për armëpushimin, vendet muslimane u angazhuan që ajo të votohej në asamblenë e përgjithshme ku rezoluta nuk ka fuqi detyruese.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gaza, për ndalimin e luftës Izrael-Hamas, por vota e Tiranës zyrtare nuk ishte në të njëjtën linjë me atë të Uashingtonit.

Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime.

Në këtë votim Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, iu bashkuan tetë vende të tjera (Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj), por jo Shqipërisë e cila zgjodhi të rreshtohej me Turqinë dhe shumicën e vendeve të BE-së.

Por duket se kjo votë, jo në të njëjtën linjë me Amerikën, për të cilën e falenderoi Erdogani ka kaluar pa lënë shenjë në marrëdhëniet met Uashingtonit dhe Tiranës.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken, e cilësoi si “partneritet të jashtëzakonshëm” atë mes dy vendeve duke u kujdesur të shtonte se në kohën e kësaj qeverisjeje ky parneritet “është më i fortë se kurrë”.

edi rama erdogan