Sot në orën 10:00, Kushtetuesja mblidhet për të shqyrtuar dhe marrë një vendim. Sipas një njoftimi zyrtar nga Gjykata Kushtetuese, objekti i shqyrtimit është : “zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Gjykata Kushtetuese shqyrton sot dosjen lidhur me një vendim të GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK, sa i takon pezullimit nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut. Zv.Kryeministres i është komunikuar akuza nga SPAK, ndërsa Prokuroria Speciale kërkoi në GJKKO masën “pezullimit nga detyrat qeveritare për Ballukun”.
Vendimi i miratuar nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shkaktoi një përplasje kompetencash mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama e konsideroi vendimin e GJKKO-së, bazuar në kërkesën e SPAK, si një ndërhyrje të fortë dhe anti-kushtetuese të gjyqësorit në ekzekutiv. Në kushte të tilla, Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila fillimisht vendosi të pezullojë zbatimin e vendimit të GJKKO-së, pra pezullimin nga detyra të Ballukut dhe më pas të kalojë çështjen për një shqyrtim në themel.
Sot në orën 10:00, Kushtetuesja mblidhet për të shqyrtuar dhe marrë një vendim. Sipas një njoftimi zyrtar nga Gjykata Kushtetuese, objekti i shqyrtimit është : “zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Gjithashtu objekt shqyrtimi është shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
Po kështu, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë edhe shfuqizimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cënon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
Seanca pritet të jetë publike, ndërsa si palë të interesuara janë Presidenti i Republikës, SPAK, GJKKO dhe Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu ccështja Balluku pritet të shqyrtohet edhe nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve më 28 janar, bazuar në një kërkesë të SPAK-ut që kërkon arrestimin e zv.Kryeministres.
Por cilat janë opsionet që Kushtetuesja mund të vendosë?
Opsioni i parë është që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë SPAK dhe GJKKO. Pra, Kushtetuesja vendos që anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të pezullohen nga funksionet qeveritare me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së. Ky vendim do të zgjidhte atë që konsiderohet si mosmarrëveshje Kushtetuese mes Qeverisë dhe SPAK në favor të Kryeministrit, referuar qëndrimit që ai ka mbajtur lidhur me çështjen.
Opsioni i dytë është që Kushtetuesja të lerë të fuqi vendimin e GJKKO-së, pra pezullimin nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut. Ky vendim do të ishte një precedent që mund t’I hapte rrugë SPAK që për çdo anëtar të kabinetit qeveritar, që mund të hetohet dhe t’I komunikohet akuza, të pezullohet nga detyra, nëse Prokuroria Speciale do të vlerësojë se një akt i tillë i shërben hetimit.
Opsioni i tretë që mund të krijojë një ngërç dhe palët të shkojnë në Venecia për të kërkuar një interpretim është që Kushtetuesja të mos dalë me një vendim. Kjo do të thotë që anëtarët e Kushtetueses të mos arrijnë një shumicë pro ose kundër kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ndodh kjo, atëherë ai që konsiderohet si ngërç kushtetues vijon të mbetet pezull, dhe me shumë mundësi mazhoranca e Kryeministrit Edi Rama, mund t’i drejtohet për interpretim Komisionit të Venecias.
Brenda 3 muajve të fundit, Gjykata Kushtetuese shqyrton dy çështje që lidhen me personazhe politike. Çështja e parë ishte ajo me kërkues Erion Veliajn, Kryebashkiakun e Tiranës, që konsideroi si antikushtetues procesin e shkarkimit të tij nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë. Procesi i shkarkimit të Veliajt u inicua dhe finalizua nga Kryeministri Edi Rama. Kushtetuesja, pas një seance publike, shpalli procedurën e shkarkimit si të paligjshme, duke rikthyer në detyrë Erion Veliajn. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje