Sipas Ramës, 'një drejtësi e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse, mund të kthehet në rrezik' për vendin.
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka treguar në rubrikën 'Sy m’Sy' në Facebook, arsyen e heshtjes gjatë 5 viteve ndaj institucioneve të drejtësisë.
Rama, duke e theksuar në mënyrë të tërthortë se për suksesin e SPAK merita është e tij edhe e PS, tha heshtja ishte një strategjiki për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej.
'Ne heshtëm, heshtëm totalisht 5 vjet rresht, 5 vjet e më shumë madje, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam në ndonjë rast apo s’e nuk e patëm ndjeshmërinë ndaj një trysnie që ka shkuar hera-herës deri në absurd mbi punonjësit e administratës, por ne heshtëm strategjikisht, heshtëm për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej, në një vend ku drejtësia s’ka pasur kurrë, kurrë, pavarësi dhe ku norma ka qenë intimidimi dhe marrja në kontroll e saj nga pushteti politik.', tha ai.
Kryeministri Edi Rama më tej thotë se reagimet e tij nuk ka qenë sulme ndaj SPAK, por ka kërkuar standarde europiane në një proces të drejtësisë duke ju referuar rastit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt.
Rama gjithashtu është ndalur sërish tek arrestimi i kryebashkiakut.
Ai thotë se një drejtësi e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse, mund të kthehet në rrezik.
'Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë kur thotë populli, por qartësisht burimi i një vetëbesimi të SPAK dhe GJKKO, ne do të flasim për forcimin e demokracisë sa herë që nga drejtësia të shkelen këto standarde. Një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive e të drejtave kushtetuese, dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në kërcënim për vetë demokracinë, problem për shoqërinë dhe pengesë për ekonominë.
Nëse ka shenja që thonë që abuzimi me pavarësinë e pushtetit të drejtësisë mund të bëhet një rrugë pasigurie juridike në trupin e shoqërisë problemi nuk është më thjesht i atyre që keqtrajtohen direkt nga një pushtet që fryhet me vetveten por është një problem për vendin e shoqërinë, si i tillë është për mua si kryeministër, jo që ta sulmojnë, por ta ndihmojnë drejtësinë të konsolidohet.', tha Rama.
Lini një Përgjigje