
Nëse bëhet një kongres partie nuk ka se si të mos thirret Basha. Basha bëri akt të madh për interesin kombëtar. U bashkua me aleatin kryesor, i cili mban shqiptarizmin gjallë. Pse ne e morëm Kosovën? Janë dy shtete shqiptare, por partitë janë ku thërret qameti. Tani e djathta do jetë në hije dhe Shqipëria do jetë vend monopartiak siç është defakto?
Avokati, Spartak Ngjela ka komentuar ridaljen në skenë të Lulzim Bashës. Ish-kreu i PD prej më shumë se një viti nuk ishte aktiv, por dje pati një takim me disa të rinj, ku shpalosi një platformë me 4 pika: Vetingu në politikë, hapja e listave zgjedhore, vota e emigrantëve dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit. Shumëkush e pa daljen e tij si një sinjal se do të tentojë të marrë kreun e PD. Për avokatin Ngjela, është ende herët të flitet, por premisat janë se po shkohet drejt asaj rruge. Në një intervistë, Ngjela u shpreh se mund të jetë një lëvizje amerikane për të rikthyer Bashën në krye të PD.
“Kthimin e Bashës duhet ta perceptojmë si raport. Flasim për logjikën Kantiane. Nëse e shohim si raport, kuptohet se do të ketë ndërhyrë politika amerikane dhe po kthehet në PD-në zyrtare, se ajo tjetra nuk është parti. Saliu nuk ka parti, ka kështu tur popullor, të shohim çfarë do ndodhë. Nëse do të jetë një kërkesë e politikës që e ka kërkuar. Do të shohim pra se kush ja ka kërkuar, sepse ne kemi aleancë me Uashingtonin. Ose është kërkesë e tyre dhe ky hyn për të plotësuar vendin, sepse kemi një boshllëk juridik. PD nuk ka kryetar zyrtar. Ka gjithmonë një kryetar të komanduar që vjen si kryetar grupi. Mos është ky hapi i parë që Basha do hyjë përsëri dhe të kërkojë një Kongres që të bëhet kryetar ligjor i PD? Nuk e di. Janë gjëra që nuk i marrim dot me mendje, por po flasim për logjikë. Pra, nëse vijon takimet, jemi të sigurt se në Kongres garon për kryetar partie”, tha ai.
Sipas avokatit, nëse PD mban zgjedhjet për kryetarin, i vetmi që nuk kandidon dot është Sali Berisha. Ngjela u shpreh se ai është përjashtuar dhe fakti që është “non grata”, Statuti e ndalon të kandidojë. Më tej u shpreh se nëse Basha do të vijojë me takimet, atëherë është sinjal i qartë se ai do të kandidojë për kryetar.
“Berisha nuk ka të drejtë kandidimi. E kanë përjashtuar nga partia ligjore prandaj ka dalë në foltore. Nuk konkurron dot. Por anëtarët e tjerë që nuk janë përjashtuar dhe nuk kanë bërë skerco antiamerikane kanë të drejtë të konkurrojnë. Por nëse bëhet një kongres partie nuk ka se si të mos thirret Basha. Basha bëri akt të madh për interesin kombëtar. U bashkua me aleatin kryesor, i cili mban shqiptarizmin gjallë. Pse ne e morëm Kosovën? Janë dy shtete shqiptare, por partitë janë ku thërret qameti. Tani e djathta do jetë në hije dhe Shqipëria do jetë vend monopartiak siç është defakto? Jo mendoj unë, se dhe ata që drejtojnë si aleatë, janë në doktrinën e tyre që nuk ndalohet pluralizmi politik. Atëherë çfarë do presim? Nëse ka një tjetër takim nga Basha, atëherë ka një kërkesë nga politika amerikane dhe do ndërtohet nga e para një parti e djathtë siç është PD. Këtu pamë edhe një akt tjetër, që Alibeaj dha dorëheqjen. Ai hapi rrugën për Kongresin. Kur shohim që kreu i ri i grupit, që është kryetari i komanduar do shkojë drejt Kongresit pasi të dalë Basha? Duhet të shohim”, tha ai.
Rikthimi i Bashës e ka ndarë PD. Ka shumë deputetët që nuk e mbështesin, por mësohet se Basha ka marrë pas vetes një numër të konsiderueshëm, që i japin mbështetje.