TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Prill 2025, 16:58

Çfarë përfaqëson politikisht kontrata 6 milionë dollarëshe e Sali Berishës në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

 Çfarë përfaqëson politikisht kontrata 6 milionë

  
6 milionë dollarët e Sali Berishës; mesazh i qartë për opozitën e qytetarët, paratë e pista po blejnë imazhin e “Non grata”-s në SHBA

Kontrata sekrete 6 milionë USD me lobistët amerikanë, e fshehur nga Berisha dhe kupola e PD-së, është një kambanë alarmi për qytetarët dhe sinjal politik se opozita ka vetëm një plan: rehabilitimin e imazhit të familjes “Non grata”. SPAK duhet të hetojë burimin e milionave që Berisha po përdor për të larë 'faqen e zezë' në SHBA.

Publikimi zyrtar në regjistrin amerikan të lobimeve i kontratës 6 milionë dollarëshe që Partia Demokratike ka lidhur në SHBA për llogari të Sali Berishës, përbën një skandal të përmasave të rënda politike dhe morale.

Është skandal, sepse një kontratë e tillë nuk është bërë publike as për militantët e PD-së e aq më pak për qytetarët shqiptarë, duke u mbajtur plotësisht e fshehtë nga vetë Berisha dhe kupola e tij në krye të PD-së. Për më tepër, vetë Sali Berisha ka mashtruar publikisht, duke deklaruar disa herë se nuk po kryen asnjë lobim në SHBA për të hequr damkën “Non grata”.

Faktet flasin ndryshe. Kontrata me kompaninë amerikane “Continental Strategy” kap vlerën marramendëse prej 6 milionë dollarësh, me këste mujore nga 250 mijë USD. Objektivi i kësaj shifre kolosale është i qartë: pastrimi i fytyrës së nxirë të familjes Berisha në Shtetet e Bashkuara përmes kontakteve në Kongres, Senat, Departament të Shtetit dhe qarqe influente republikane në Uashington.

Ndërsa lobimi në vetvete nuk përbën një fenomen të ri – pasi shumë figura të njohura politike në rajon, përfshirë Milorad Dodikun e shpallur “Non grata”, kanë paguar shuma të mëdha për të rehabilituar imazhin – problemi këtu qëndron në dy pika kryesore: sasia e parave të harxhuara dhe fshehja e kësaj lëvizjeje nga opinioni publik.

Shuma prej 6 milionë dollarësh është një shuplakë në fytyrë për të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe sidomos për elektoratin opozitar, i cili beson se PD po lufton për kauza ekonomike e sociale kundër regjimit të Edi Ramës. Është paradoksale që Berisha flet çdo ditë për varfërinë e shqiptarëve, ndërkohë që fshehurazi derdh miliona dollarë vetëm për të rehabilituar veten dhe familjen e tij në sytë e politikës amerikane.

Politikisht, kontrata 6 milionë dollarëshe jep një mesazh të qartë dhe të rrezikshëm për opozitën. Ajo dëshmon se PD-ja, e kapur nga Berisha, nuk ka asnjë plan për rinovim të elitës politike, por po shpenzon shuma astronomike për të betonizuar figurën e një familjeje të vetme. Ky mesazh është i qartë për të gjithë ata që mendojnë se opozita mund të ndryshojë apo të rinovohet me standarde perëndimore.

Një tjetër pyetje themelore mbetet pa përgjigje: Ku i gjen Sali Berisha 6 milionë dollarët për lobim, e miliona të tjerë për gjyqet në Londër e SHBA? Nëse këto para janë paguar nga “garanti” Nuredin Seci, ai duhet të deklarojë menjëherë burimin e tyre, pasi shuma të tilla nuk mund të justifikohen lehtë.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm. Berisha shpenzoi mbi gjysmë milioni euro në gjyqin e dështuar në Londër për “Non grata”-n e tij, ndërkohë që djali i tij, Shkëlzeni, pagoi qindra mijëra dollarë për procesin gjyqësor në SHBA për skandalin e Gërdecit. Të gjitha këto fatura marramendëse kërkojnë një përgjigje të menjëhershme nga drejtësia shqiptare dhe SPAK-u, i cili duhet të nisë urgjentisht hetimet për pastrimin e parave dhe burimin e miliona dollarëve që Sali Berisha ka vënë në dispozicion vetëm për të shpëtuar fytyrën e tij politike të rrënuar nga Amerika.

Nëse SPAK hesht para këtyre fakteve publike, atëherë edhe kjo drejtësi do të mbetet pjesë e paktit mafioz politik që shqiptarët e vuajnë prej më shumë se tri dekadash./Pamfleti

kontrata 6 milionë sali berisha shba

Lini një Përgjigje