
Partia Demokratike ka akuzuar Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), lidhur me nisjen e verifikimeve për kontratën e lobimit të demokratëve në SHBA, se po përdoret nga kryeministri Edi Rama për qëllime politike.
PD ka theksuar se kontratën e saj me një avokat të ish-presidentit amerikan Donald Trump, është regjistruar sipas ligjeve të dy vendeve dhe se nuk ka asnjë shkelje, teksa shton se shqetësimi i vetëm i kësaj kontrate është ai i Ramës dhe veglave të tij.
“Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës”, thuhet në deklaratë.
Sipas PD-së, kryeministri Edi Rama, po përdor SPAK-un si mjet për të mbuluar skandalet e tij, si çështja McGonigal, dhe bashkëpunimi me bandat për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit 2025.
Opozita shprehen më tej se Bandat e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, të mbështetur nga qeveria dhe “narkopolicia”, po punojnë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, ashtu siç pretendohet të ketë ndodhur në rastet e dosjeve 339 dhe 184.
“Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston. Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij”, thuhet në deklaratën e PD.
Më tej PD falënderon komunitetin shqiptaro-amerikan për mbështetjen financiare dhe politike, duke e cilësuar diasporën si një forcë kyçe në forcimin e partisë.
“Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër,” thuhet në deklaratë.
Deklarata e PD-së:
Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston. Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!
Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!
Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore!
Lini një Përgjigje