TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Qershor 2025, 20:44

Çfarë pret Berisha nga ndërkombëtarët për 11 majin?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë pret Berisha nga ndërkombëtarët për 11

Si lojtar i vjetër politik, me një peshë absolutisht të madhe në të gjithë zhvillimet në vend, Berisha maksimumi që mund të marrë nga aleatët në Europë është që ata t'i ushtrojnë presion Edi Ramës të mos përdorë fuqinë e 83 mandateve, pa përfshirë këtu 3 votat e gatshme të PSD-së së Tom Doshit, për të miratuar kryesisht ndryshime në Kodet, qofshin ato Zgjedhore, Penale, Civile, por edhe për ndryshime të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, pa pasur një konsensus nga opozita

Sali Berisha është angazhuar në një tur takimesh në Europë menjëherë pas 11 majit, ditës kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që regjistruan edhe rezultatin më të dobët për PD-në, me synim atë që e konsideron si ‘denoncimin e farsës zgjedhore’.

Berisha e ka përqëndruar vëmendjen te EPP ku PD është anëtare dhe ka arritur që t’i miratohet një rezolutë ku i pranohen kontestimet e tij lidhur me zgjedhjet parlamentare.

Disa herë kreu demokrat ka përsëritur faktin se po ndjek të njëjtën strategji si pas zgjedhjeve të 2001, kohë kur humbi pothuajse më të njëjtin rezultat, duke detyruar në atë kohë mazhorancën që drejtohej nga Fatos Nano që të mos shmangte opozitën nga miratimi i drejtuesve të disa institucioneve që në atë kohë miratoheshin me 2/3 e votave ose 84 deputetë. Dhe po kështu reforma të tilla si ajo zgjedhore të realizoheshin përmes komisioneve bi-partizane.

Pra me pak fjalë në atë kohë, Berisha fitoi marrëveshjen e 2002 me Fatos Nanon, por pa harruar faktin se në atë kohë në rradhët e socialistëve kishin nisur edhe krisjet dhe përplasjet e para, që pothuajse 18 muaj më pas çuan në çarjen e PS-së dhe krijimin e një partie nga Ilir Meta.

Berisha po vijon me të njëjtën strategji, çon në Bruksel jo më thasë apo kuti me kaseta filmike, por usb, ku sipas tij janë provat e manipulimit të zgjedhjeve, dhe shpreson që të vjelë pak a shumë të njëjtin rezultat si në 2001. Ndoshta i bindur se 11 majin nuk mund ta zhbëjë, pra s’mund të arrijë të çojë vendin në zgjedhje të reja vetëm duke përdorur rezolutat e EPP-së, Berisha duket se synon një pakt politik me Ramën, ndoshta të ngjashëm me atë që dikur arriti me Nanon.

Në Tiranë, kreu i PD-së dhe ata që kanë në krah si besnikë, artikulojnë idenë e një qeverie teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të reja, por në takimet në Bruksel, qofshin ata edhe europarlamentarë, ai thjesht bën denoncimet, paraqet atë që e konsideron si farsë, kërkon monitorim  të situatës dhe misione faktmbledhëse. Në raport me ndërkombëtarët e Brukselit, Berisha mban rolin e denoncuesit dhe duket i kënaqur me atë se çfarë ka arritur.

I gjithë ky angazhim dhe lobim në Bruksel synon që raporti përfundimtar i vëzhguesve ndërkombëtarë për 11 majin të jetë më i ashpër se ai paraprak i dhënë jo më shumë se 48 orë pas ditës së zgjedhjeve.

Përpara janë muajt e verës dhe në rastin më të mirë, gjatë vjeshtës, në Shqipëri mund të vijë një delegacion apo mision faktmbledhës nga Parlamenti Europian, pasi me shumë gjasë do të jenë në pranverën e 2026-ës, duke pasur parasysh se ka çështje shumë më të rëndësishme që BE po përballet. Dhe kreu i demokratëve duket se e ka të qartë apo e ka përgatitur me kujdes skemën.

Si lojtar i vjetër politik, me një peshë absolutisht të madhe në të gjithë zhvillimet në vend, Berisha maksimumi që mund të marrë nga aleatët në Europë është që ata t'i ushtrojnë presion Edi Ramës të mos përdorë fuqinë e 83 mandateve, pa përfshirë këtu 3 votat e gatshme të PSD-së së Tom Doshit, për të miratuar kryesisht ndryshime në Kodet, qofshin ato Zgjedhore, Penale, Civile, por edhe për ndryshime të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, pa pasur një konsensus nga opozita.

Në kushtet kur ka një proces gjyqësor në GJKKO me akuza konkrete nga SPAK, kur nuk po arrin të çajë me administratën e SHBA për të hequr ‘non grata-n’ edhe pse ka angazhuar ndër ekipet lobuese më të forta, Berisha do të ishte i kënaqur që të ishte aty në tryezën politike të vendimmarrjes, qoftë edhe përmes të mandatuarve të tij.

Dhe natyrisht që kjo do i japë mundësinë që pavarësisht se do të ketë 50 apo 51 mandate të ketë hapësirën për të bërë pazarin që mund të jetë thjesht politik, por ndoshta edhe më gjerë. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje