Pas mbledhjes së qeverisë, zv.kryeministrja Belinda Balluku është pyetur ditën e sotme nga gazetarët në lidhje me çështjen “Becchetti”.
Balluku u shpreh se qeveria nuk do të lejojë që Shqipëria të merret peng “nga një kriminel i këtij niveli”, por ditën e sotme doli raporti se Becchetti fitoi në përballjen me qeverinë shqiptare, pasi Arbitrazhi i Bankës Botërore rrëzoi rekursin e qeverisë Rama dhe i dha të drejtë televizionit të biznesmenit italian Francesco Becchetti duke lënë në fuqi vendimin e marrë më herët.
Ministrja tha se qeveria po e bën luftën jo vetëm për vendin tonë por edhe për të ndihmuar vendet e tjera dhe disa kompani që kanë prej vitesh “që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel”.
"Rritjen e pagave dhe pensioneve nuk e ndikon dot asgjë sepse është një vendim i marrë tani nga qeveria shqiptare. Kur Kryeministri Rama flet, ne nuk dalim kurrë për propagandë. Dalim gjithmonë me programe të studiuara dhe të miratuara dhe pastaj i bëjmë publike. Nuk jemi ajo forcë politike që dalim themi dhe pastaj del një vendim gjyqi dhe na e ndryshon. Më vjen shumë keq që ndjej nota kënaqësie për vendimin e CSID-it, por duhet të them që nëse i referoheni vendimeve të Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, shtetet për shkak të sovranitetit kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e CSID-it. Kështu që ky është pozicioni jonë. Unë ju them që do ishte mirë t’i referoheni një tweet-i që sapo ka bërë kryeministri pasi qeveria shqiptare do të luftojë për sovranitetin e këtij vendi, ashtu siç i takon dhe do të mbrojë Republikën e Shqipërisë nga çdo lloj krimineli i dënuar 10 apo 17 vite, i cili ka kryer krime i faktuar nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe nuk ka shans që qeveria shqiptare të lejojë që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli dhe me thënë të drejtën ne luftën nuk po e bëjmë vetëm për vendin tonë, por kur Shqipëria të fitojë këtë luftë me rastin në fjalë do të kemi ndihmuar edhe disa vende të tjera, dhe disa kompani të tjera që kanë prej vitesh që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel. Kështu që është një luftë për të drejtën dhe ne do ta bëjmë me shumë kënaqësi dhe shpresoj që këtë ta ndjeni ju të gjithë si shqiptarë dhe të mos keni këtë, e humbët.", tha ajo.
Në lidhje me këtë çështje reagoi më herët edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se kjo çështje del sa herë ka fushatë dhe thekson se Becchetti është dënuar me burg për mashtrim.
Lini një Përgjigje