
Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me letërporosi disa shteteve në kuadër të hetimeve për ish-ministrin Arben Ahmetaj, ku kërkon informacion për lëvizjet e tij fizike dhe financiare.
Mes kërkesave është edhe ajo për Austrinë për sqarimin nëse ish-ministri ka qëndruar në një hotel të paguar nga një prej pronarëve të inceneratorëve.
Burime zyrtare nga SPAK i thanë Tv Klan se një pjesë e këtyre kërkesave për informacion kanë marrë një përgjigje që po analizohen nga grupi i hetuesve, ndërsa të tjerat janë në pritje.
Të njëjtat burime konfirmojnë se nga kontrollet e ushtruara në dy vila të njerëzve të lidhur me deputetin Ahmetaj, janë gjetur disa prova të rëndësishme për hetimet.
SPAK ka regjistruar procedim penal për Ahmetajn për dyshimet e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrimit të parave.
Në kuadër të këtij procedimi, më herët janë vënë në sekuestro dy vila, njëra në jug të vendit dhe tjetra në zonën e Hamallajt, ndërsa janë marrë në pyetje disa persona.