Pas arrestimit të Lefter Allës nga SPAK, Këshilli bashkiak i Bulqizës këtë të premte ka zgjedhur nga radhët e tij kryetarin që do të drejtojë Bashkinë Bulqizë deri në betimin e kryebashkiakut të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 14 Majit.
Këshilltarët kanë propozuar Gëzim Xhafa për zëvendësues të Lefter Allës.
Pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i këshillit, Gëzim Xhafa ishte i vetmi kandidat që hyri në garë, duke marrë 11 vota nga 16 anëtarë të pranishëm, 4 kundër e 1 e pavlefshme.
Pas vendimit të sotëm të këshillit bashkiak, Xhafa do të nisë detyrën pas konfirmimit të vendimit nga Prefekti i Qarkut Dibër.
Ndërkohë brenda 20 ditëve Këshilli i Bashkisë Bulqizë do të duhet të zgjedhë prap nga radhët e veta, kryetarin e këshillit deri në kostituimin e këshillit të ri që del po nga zgjedhjet e 14 Majit.
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla është shkarkuar nga detyra nga Rama “për shkak të shkeljeve të rënda”.
Me urdhër të SPAK, Alla u arrestua më 16 mars, bashkë me 10 persona të tjerë.
SPAK po heton që prej vitit të kaluar në bashkëpunim me policinë dhe rezulton se janë konsumuar veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi veç atyre tradicionale.
Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme thotë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se kryebashkiaku i Bulqizës ka shkelur barazinë në tendera dhe ankande publike dhe ka shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se për Lefter Allën evidentohet qartësisht se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarës së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.
Kryebashkiaku së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të bashkisë kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që garën ta fitonte kompania që donin ata. Por, ka dhe më shumë se kaq në konkluzionet e SPAK. Të hetuarit me veprime aktive, jo vetëm kanë ngritur një mekanizëm të posaçëm për të favorizuar një firmë pjesëmarrës në tender, por kanë zbuluar se firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumetacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari Aqif Konesha, i cili rezultoi lidhje e afërt e kryetarit të bashkisë, Lefter Alla.
Tre vjet më parë, Alla u hetua nga SPAK për “prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike”, hetim që nisi pas publikimit të një videoje, ku pretendohej se shfaqej kryebashkiaku duke konsumuar kokainë. Në kuadër të hetimit, Alla iu nënshtrua dhe testit të drogës, prej nga rezultoi se nuk ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe më pas hetimi i nisur u pushua.
Lini një Përgjigje