
Numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar që të mblidhet Këshillim Kombëtar i PD-së, 2 ditë para zgjedhjeve për kryetar.
Sekretari i Përgjithshëm i PD ka vendosur të thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ditën e enjte, datë 27 Korrik 2023, ora 19.00.
Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Mbledhja e Këshillit Kombëtar parashikohet të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.’- njofton Bardhi.
7 deputetë të Partisë Demokratike, paraqitën të hënën një raport ku kanë bërë një vlerësim të legjimitetit të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Sipas hulimtimeve të kryera, 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, nga 459 gjithsej, janë kundër zgjedhjeve të 29 korrikut për kreun e ri të PD.
Në këto kushte, deputetët e PD, kërkuan nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi që të mbledhë Këshillin Kombëtar, në mënyrë që të mos ndërmerren veprime të njëanshme që përçajnë akoma më shumë Partinë Demokratike.
Kur ka mbetur më pak se një javë nga zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike, mbështetësit e Bashës ka nisur betejën e radhës për legjitimitetin e procesit.
Njerëzit e Lulzim Bashës po kërkojnë vijimin e procesit, por kundërshtohen nga të besuarit e Gazment Bardhit që i kërkojnë këtij të fundit që të veprojë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të ndalë garën.
Sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa që mori vulën nga Bardhi, e quan antistatuore kërkesën e tyre dhe i akuzon se po bëhen patericë e Sali Berishës.
“Pasi u njohëm me deklaratën e 7deputetëve që kërkojnë bllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, me keqardhje konstatoj se kërkesa e tyre është antistatuore. U kujtoj deputetëve, se Anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe vetë Këshilli Kombëtar, shprehen vetëm me vendime. Pretendimi për konstatim të vullnetit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar jashtë instrumenteve statutore të Mbledhjes së Këshillit Kombëtar, është në kundërshtim me dispozitat e Statutit”, tha Sefa.
Njerëzit e Bashës, për të qenë më të qetë për rikthimin e tij në krye të PD, duket se kanë zhvilluar një mbledhje të Kryesisë në 18 Korrik, duke mbajtur atë të fshehtë, dhe i kanë hequr vulën Gazment Bardhit. Dokumenti mban 15 emra dhe 16 firma, pasi Oriola Pampuri duket se nga zelli e ka firmosur shkresën dy herë.