
Manja tha se kanë planifikuar së paku 25 tryeza diskutimi publik...
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit për Kodin e ri Penal, ka deklaruar se drafti nuk është përfundimtar dhe se do të ketë hapësira për ndryshim.
Duke marrë parasysh kritikat e javëve më parë, Manja theksoi se grupi i punës ka mbajtur shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e bëra. Lidhur me këtë, ai tha se kanë planifikuar së paku 25 tryeza diskutimi publik. Gjithashtu, Manja tha se drafti aktual i është dërguar për diskutim një grupi ekspertësh italian.
"Na jepni mundësinë që edhe njëherë të informojmë dhe qartësojmë opinionin publik por cilido individ, grup interesi apo aktor që janë të interesuar për të qenë pjesë aktive e diskutimit dhe pjesëmarrjes në konsultimin e gjerë publik që do t’i nënshtrohet drafti i ri. Në 25 korrik prezantuam draftin e kodit të ri, por gjatë kësaj periudhe, ka pasur mjaft komente, analiza dhe debate e diskutime, por edhe shqetësime për aspekte të veçanta teknike të vetë draftit por edhe procesit të ndjekur për hartimin e kodit të ri penal dhe rolin e ministrisë së drejtësisë. Kemi mbajtur shënim komentet e analizat, sugjerimet e shqetësimet por nga momentii publikimit të draftit në uebin e ministrisë dhe dhënies së linkut të sekretariatit, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh dhe disa organizatatë shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.
Gjithsesi e menduam këtë tryezë sot për të dhënë disa përgjigje në lidhje me procesin, rolin e ministrisë dhe aspekte të veçanta teknike të draftit të ri. Më duhet të them që roli i ministrisë së drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të draftit të kodit të ri penal. Pra, jemi ne ministria e Drejtësisë, në emër të qeverisë, që e kemi porositur këtë draft të Kodit të ri edhe si përmbushje e detyrimeve tona në kuadrin e strategjisë së drejtësisë por edhe të negociatave me BE-në. Në procesin e hartimit apo draftimit të ligjeve, ka dy rrugë ose nëpërmjet drejtorisë së legjislacionit në ministri ose nëpërmjet grupit të ekspertëve të fushës. Kemi zgjedhur këtë të dytën edhe për shkak të rëndësisë që ka hartimi i një kodi të ri në jetën politike,. juridike dhe ekonomike të vendit”, u shpreh ministri.
Më tej Manja tha se drafti duhet të përmbushë edhe pritshmëritë e BE-së, teksa shtoi se bazuar në negociatat me BE-në, Shqipëria do duhet të ketë një Kod të ri Penal në fund të 2026.
Kujtojmë se drafti është kritikuar fuqishëm nga institucione të mëdha drejtësie, dhoma e Avokatisë, shoqatat e gazetarëve, aktivistët dhe intelektualët, që e kanë cilësuar si një dokument represiv që dëmton liritë dhe të drejtat e njeriut.
Punimin për draftin e ri e ka iniciuar Ministria e Drejtësisë, e cila formoi një grup pune ekspertësh që përfshin gjyqtarë, prokurorë dhe pedagogë të së drejtës penale, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Lini një Përgjigje