TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2023, 08:16

Vizita e parë zyrtare pas takimit me Vuçiç, marrëveshja e Ohrit sjell sot Albin Kurtin në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Vizita e parë zyrtare pas takimit me Vuçiç, marrëveshja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri Edi Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot Tiranën ku do të zhvillojë takim me homoloun e tij Edi Rama dhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Me këtë të fundit, Kurti pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga ora 11:30.

Sipas informacioneve, në takimin Rama-Kurti, në fokus do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Në marrëveshjen e arritur në Ohër, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.

Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për marrëveshjen drejt normalizimit, dhe me 18 mars, pati dakordësi për Aneksin e zbatimit.

Duke e quajtur marrëveshjen si më të mirën deri më tani, Kurti tha se Serbia do të frenonte implementimin e saj, edhe pse kishte pranuar njohjen de facto të Kosovës.

Partitë opozitare e kritikuan ashpër Kurtin për zmbrapsje nga qëndrimet e tij, veçanërisht mbi asociacionin dhe për heqjen dorë nga njohja reciproke.

Marrëveshja prej 11 pikash nuk e përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por ajo kërkon nga të dyja vendet të pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëri tjetrit, përfshirë pasaportat diplomat dhe targat.

Takimi i fundit i Kurtit në Tiranë ka qenë me 13 Shtator të 2022 , ku ai mbërriti me urgjencë në kryeqytet pasditen e të martës, për një takim me kryeministrin Edi Rama.

Ky i fundit e priti kryeministin e Kosovës në vilën qeveritare 30 në një takim kokë më kokë dhe të paparalajmëruar për mediat nga stafet përkatëse të shefave të dy qeverive.

 

kurti tiranë rama marrëveshja me serbinë

Lini një Përgjigje