Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ditën e sotme në Kuvend kërkoi t’i vihen në dispozicion provat e SPAK të depozituara në Kuvend, në bazë të të cilave kërkohet arrestimi i Belinda Ballukut. Kjo e fundit ndodhet në sallë ndërsa në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet çështja e pezullimit të zv.kryeministres nga detyra me vendim të GJKKO-së.
“Ndërkohë që ne flasin, po ndodh diçka historike në Gjykatën Kushtetuese. Në Gjykatën Kushtetuese... prokuroria i është drejtuar deputetëve për heqjen e imunitetit të zonjës që është ulur aty se do ta arrestojnë, ne si përfaqësues të Partisë Mundësia na ehet mohuar e drejta për të pasur provat mbi të cilat prokuroria kërkon arrestimi ne asaj që është ulur aty që po qesh dhe tallet...”, tha Shehaj.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, nuk e ka lejuar Shehajn për të vijuar fjalën e tij.
Sot po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave pas vendimit të GJKKO-së për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Rama kërkon “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Si subjekte të interesuara janë ftuar përveç institucionit të Kryeministrisë, edhe ai i Presidencës, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme. GJKKO nuk merr pjesë pasi vlerëson se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
Lini një Përgjigje