
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e koalicionit "Bashkë Fitojmë" për rihapjen e kutive dhe rinumërimin e QV-ve në Bashkinë Rrogozhinë.
KAS ka kërkuar prova të plota lidhur me manipulimin e votave që koalicioni “Bashkë Fitojmë” pretendon dhe nëse provat i dorëzojnë në kohë, ata do ta rihapin çështjen.
Bëhet me dije se seanca tjetër do të caktohet ditën e hënë ora 13:00.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka kërkuar sot në Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve rinumërimin e votave në bashkinë e Rrogozhinës si dhe heqjen e rezultatit të qendrës së votimit të burgut nga tabela përfundimtare e votave.
Përfaqësuesi i “BF”, Ivi Kaso tha se në këtë bashki është i nevojshëm rinumërimi i votave.
“Në këtë zonë zgjedhore është i nevojshëm rinumërimi dhe rivlerësimi i të gjitha votave. Vetëm kështu kemi garancinë që rezultati që do të dalë nga ky proces do të pasqyrojë të vërtetën e këtij procesi zgjedhor”, tha Kaso.
Ndërkohë, kjo kërkesë e “Bashkë Fitojmë” për rivlerësimin e rezultatit është kundërshtuar nga përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i cili kërkoi dhe rrëzimin e ankimimit dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar me fitues Edison Memollën.
Kujtojmë se kandidati i PS-së Edison Memolla fitoi përballë Shkëlqim Hoxhës së BF-së me 30 vota diferencë, ndërkohë që përpara se të numërohej kutia e burgut kryesonte Hoxha me mbi 50 vota.