
Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi Kombëtar i Rithemelimit që po mban në Pallatin e Kongreseve ka bërë një analizë të situatës politike në vend, teksa theksoi se në krye të qeverisë udhëheq një bandë.
Gjatë fjalës së tij para delegatëve dhe anëtarëve të PD-së, por edhe të ftuarve, Berisha tha se kjo është një kohë e zezë për vendin.
“Të dashur delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, jemi në mbyllje të vitit 2023. Fundi i vitit është gjithmonë kohë reflektimi, por sot ju ftojmë që të bëjmë një reflektim më të thellë, pasi kjo dekadë përbën një kohë të zezë për vendin.
Kombi humbi shpresën, humbën votën e lirë. Ky ishim dhe ku jemi? Sot Kombi ynë është një komb shpresë humbur, që lëngon pasi trupi i tij është i kapluar nga metastazat e krimit, pasi është ndër më të plaçkiturit në vendet e Europës. Pronat po rrëmbehen nga investitorët strategjikë.", tha Berisha.
“Kombi ynë është në vdekje”, i tha më tej Sali Berisha Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit, ku pritet votëbesimi i tij si kryetar.
Në një dekadë qeverisje nga socialistët Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama si shkaktar të shpopullimit dhe humbjes së shpresës së shqiptarëve.
“Sot kombi ynë është shpresëhumbur, është një komb që lëngon se trupi i tij është i kapluar nga metastazat e drogës e krimit. Është një komb që dergjet në varfëri e skamje, se është kombi më i plaçkitur ndër kombet e Europës. Prona private grabitet jo më nga komunistët, por nga investitorët strategjikë. Shqiptarët vijojnë të persekutohen nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët. Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi skapin e gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale”., theksoi Berisha.
Në fjalën e tij ai tha gjithashtu se Tirana është kthyer në Beograd të dytë kundër Kosovës.
“Nuk kemi më gjykata popullore, por SKAP-in e partisë. Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë, duke e shndërruar Tiranën si Beogradin e dytë. Popullsia është ulur me 35% në 10 vite. Kombi ynë është një komb në vdekje.”, u shpreh ish kryeministri.
Përveç shpopullimit, ai akuzoi Ramën edhe për uljen e numrit të lindjeve në vend dhe rikthimin e burgosjeve politike.
“Më keq se në tërë historinë kombëtare popullsia është ulur me 35 % në 10 vjet. Me braktisjen masive të vendit dhe dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, gjë që nuk ndodhi as në komunizëm. Të gjitha këto ndodhin nën shëmbëlltyrën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtet dhe kërkon të mbajë pushtetin me forcë dhe ky demon është Edi Rama. Jemi në kushtet e një diktature të re në narkodiktaturë ku njëlloj si në diktaturën ideologjike u rikthyen burgosjet politike të opozitës”., deklaroi ai.
Lini një Përgjigje