Politike 2 Qershor 2023, 19:03

Lirimi i Saimir Tahirit me kusht, reagon ambasadorja Yuri Kim

Shkruar nga Pamfleti

Lirimi i Saimir Tahirit me kusht, reagon ambasadorja Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar e zhgënjyer lidhur me vendimin e Gjykatës së Elbasanit për lirimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Saimir Tahiri nga burgu dhe shlyerjen e pjesës së mbetur të dënimit në arrest shtëpie.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, Kim tha se është e zhgënjyer nga drejtësia e cila sipas saj përdor ende disa mënyra të vjetra mosndëshkimi për zyrtarët.

Ajo shtoi se këto gjëra nuk duhet të ndodhin në një vend anëtarë të NATO-s, teksa paralajmëroi pasoja për të gjithë ata persona në sistemin e drejtësisë dhe në politikë, të cilët me anë të kërcënimeve apo korrupsionit, tentojnë të lirojnë miqtë e tyre të fuqishëm.

Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në Shqipëri në sistemin e drejtësisë. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, u shpreh Kim.

Kujtojmë se Tahiri la sot burgun, pasi Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin e tij dhe vazhdimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 1 viti e 7 muaj e 11 ditë, në shtëpi.

Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin. Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte./Pamfleti

kim lirimi tahirit