
Lirimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nga burgu, duket se ka shqetësuar faktorin ndërkombëtar, i cili thuhet se po e ndjek me shumë vëmendje situatën.
Sipas disa burimeve diplomatike, Ndërkombëtarët po ndjekin me shqetësim lirimin e ish ministrit dhe kërkojnë të njihen me dokumentet e procesit.
“Po e ndjekim me shqetësim lirimin e Saimir Tahirit dhe kërkojmë dokumentet e procesit”, thonë burime diplomatike, raporton TCH.
Kujtojmë se Tahiri la sot burgun, pasi Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin e tij dhe vazhdimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 1 viti e 7 muaj e 11 ditë, në shtëpi.
Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin. Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.
Në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.
Nga ana tjetër avokati i Tahirit argumentoi se kushtet për lirimin e klientit të tij janë plotësuar.
“Janë kushtet që janë plotësuar. Saimir Tahirit i ka mbetur dhe një vit, shtatë muaj dhe 11 ditë. Kushtet thonë që të këtë fëmijë të mitur dhe ligji thotë që bashkëshortja të jetë në pamundësi dhe bashkëshortja e Tahirit është sëmurë. Nuk ka rrezikshmëri dhe vetë personi të mos ketë rrezikshmëri. Këto katër kushte që janë lehtësisht të provuara, e çuan gjykatën të ndryshojë masën”, u shpreh Maks Haxhia.
Lini një Përgjigje