Politike19 Shtator 2023, 19:03

Korrupsioni dhe situata politike, i dërguari i SHBA mesazh shoqërisë civile; opozita sërish jashtë axhende

Shkruar nga Pamfleti
Korrupsioni dhe situata politike, i dërguari i SHBA mesazh
Foto nga takimi

Ajo që bie në sy është se i dërguari i SHBA vijon të bojkotojë opozitën. Duke qenë se PD ndodhet në krizë totale, ai ka preferuar të mos takohet me asnjë përfaqësues të saj...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një tjetër mesazh sa i takon situatës politike dhe korrupsionit në vend.

I ngarkuari me Punë në ambasadën e SHBA, David Wisner ka takuar sot disa përfaqësues të shoqërisë civile. Ai ka deklaruar se shoqëria civile ka rol në nxitjen e mirëqeverisjes, luftën ndaj korrupsionit dhe instalimin e shtetit të së drejtës dhe largimin nga kandidimi të personave me probleme.

I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua me drejtues të shoqërisë civile për të dëgjuar rreth punës së tyre frymëzuese, që synon përmirësimin e shoqërisë shqiptare. Ai falënderoi grupin për përpjekjet e tyre për të përmirësuar demokracinë në Shqipëri duke çuar përpara të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar integritet zgjedhor dhe duke nxitur aktivizimin politik. Aktorët e shoqërisë civile, të mëdhenj apo të vegjël, forcojnë demokracinë e Shqipërisë dhe përmirësojnë të ardhmen e saj”, njofton ambasada.

Ajo që bie në sy është se i dërguari i SHBA vijon të bojkotojë opozitën. Duke qenë se PD ndodhet në krizë totale, ai ka preferuar të mos takohet me asnjë përfaqësues të saj. Ndonëse është takuar me presidentin, kryeministrin, kryetaren e Kuvendit dhe figura të tjera, me opozitën nuk janë zhvilluar takime.

Basha pretendon se ka partinë, ndërsa Bardhi nuk e pranon. Po ashtu Berisha nga krahu tjetër e cilëson veten kryetar. Vetë Berisha është jashtë loje nga amerikanët, por edhe pse Basha doli në skenë sërish takimet kanë munguar. Po ashtu jashtë axhendës kanë mbetur dhe Ilir Meta me përfaqësues të LSI. Meta është rreshtuar krah “non gratës”, pavarësisht mesazheve që ka marrë nga amerikanët. Mbetet të shihet se si do të veprohet në ditët në vijim, por edhe pse diplomati ka ardhur që në fillim të verës, opozita është e vetmja që është shmangur nga axhenda. /Pamfleti

shba