Politike18 Prill 2024, 09:41

Lulzim Basha kallëzon në SPAK Lindita Nikollën

Shkruar nga Pamfleti
Lulzim Basha kallëzon në SPAK Lindita Nikollën
Lulzim Basha dhe Lindita Nikolla

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryetari i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeparlamentaren Lindita Nikolla, pasi kjo e fundit reflektoi ndryshimet e kërkuara nga Gazment Bardhi për kthimin e deputetëve të përjashtuar në grupin e PD.

Në kallëzimin penal të Partisë Demokratike, thuhet se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, pasi ka vijuar të njohë Gazment Bardhin si kryetar të grupit të PD dhe shkresat e tij, ndonëse është i përjashtuar nga grupi.

Kallëzimi i kryedemokratit vjen pasi Nikolla ka reflektuar kërkesën e Bardhit për kthimin në grupin e PD deputetët e përjashtuar gjatë kësaj legjislatura, ndërsa jashtë mbeti vetëm Sali Berisha i cili ishte përjashtuar një ditë para se të niste legjislatura më datë 10 shtator.

"Ky veprim i shtetases Lindita Nikolla, në ushtrim të detyrave të saj si Kryetare e Kuvendit cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e ligjshëm të Partisë Demokratike. Duke zbatuar një kërkesë të një deputeti, ndaj të cilit organet më të larta drejtuese të Partisë Demokratike, kanë vendosur largimin nga rradhët e saj Kryetarja e Kuvendit ka cënuar të drejtat e ligjshme politike të subjektit për organizimin e brendshëm të tij dhe si dhe ka cënuar autoniminë e vendimmarrjes politike e cila garantohet nga Kushtetuta dhe ligji për partitë politike", thuhet në kallëzim. 

Përpos kësaj pike që duket se solli kallëzimin e Partisë Demokratike, në padi janë renditur edhe disa pika të tjera që Basha i cilëson si shkelje nga ana e Nikollës. Në kallëzim thuhet se ka qenë vetë Nikolla që ka njoftuar në seancën e datës 4 shtator se Bardhi nuk e gëzon më detyrën e kreut të grupit të PD si dhe më datë 12 tetor ka njoftuar përjashtimin e tij nga grupi.

Por ndërkohë, në kallëzim thuhet se Nikolla ka lejuar Bardhin që të marrë pjesë në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve dhe ka njohur shkresat e tij si kreu i grupit. Sipas PD, kjo është një shkelje pasi Nikolla ka lejuar Bardhin që të ushtrojë funksionet e kryetarit Lulzim Basha duke cenuar interesin e partisë, deputetëve dhe anëtarëve të saj, si edhe autoniminë e vendimmarrjes politike.

"Me rikthimin në përbërje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të deputetëve ndaj të cilëve janë marrë masa të largimit jo vetëm nga grupi por edhe nga anëtarësia në parti, në kundështim me vullnetin e Partisë së cilës i përket Grupi Parlamentar, shtetasja Lindita Nikolla ka cënuar interesat e ligjshëm të kësaj të fundit duke i caktuar jo vetëm përbërjen e grupit të saj parlamentar por edhe kryesimin e këtij të fundit. Ne asnjë rast Grupi Parlamentar nuk gëzon autonominë (qoftë edhe statutore) për të ashkaluar apo dalë mbi vendimet politike të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Miratimi i një kërkesë në kundështim me vullnetin politik të subjektit, të marrë në përputhje me normat e brenshine statutore është një cënim i drejtpërdrejtë i autonomisë së partisë politike duke sjellë si pasojë ndërhyrjen e një organi shtetëror në jetën dhe organizimin e brendshëm të një entiteti juridik dhe politik jashtë varësisë së tij. Ky cënim është një cënim i drejtpërdrejtë jo vetëm i ligjit për partitë politike por edhe i të drejtës kushtetuse për t'u organzuar në parti politike", thuhet në kallëzim. 

Lulzim Basha kallëzon në SPAK Lindita Nikollën

lindita nikolla lulzim basha