
Shqipëria nuk ka krijuar një magjistar dixhital. Ka ndërtuar një Oz modern, një makineri që jep iluzionin e kontrollit...
Imagjinoni sikur jeni Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë në mandatin e katërt radhazi. Vendi juaj është prej vitesh nën hijen e skandaleve të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Madje, agjencia prestigjioze Reuters e cilëson Shqipërinë si një “qendër e grupeve kriminale që pastrojnë paratë nga trafiku i drogës dhe armëve në të gjithë botën”.
Megjithatë, më 11 shtator, ju dilni para shqiptarëve dhe botës me një premtim të guximshëm: ta bëni Shqipërinë “100% të lirë nga korrupsioni”.
Si do ta arrini këtë mrekulli?
Duke emëruar një ministre të re, të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Po, nuk është shaka. Kryeministri Edi Rama ka emëruar zyrtarisht një “anëtare kabineti” digjitale, të quajtur Diella dhe ia ka besuar asaj kontrollin mbi të gjitha prokurimet publike në vend. Në një intervistë për BBC-në, Rama deklaroi se Diella do të “shkatërrojë çdo ndikim të mundshëm mbi tenderat publikë […] duke e bërë procesin shumë më të shpejtë, më efikas dhe plotësisht të përgjegjshëm”.
Zëri i saj është robotik, fytyra e saj e çuditshme dhe i gjithë prezantimi duket si një demonstrim teknologjik i bërë me nxitim në një pasdite të premteje.
Në realitet, nuk ekziston një inteligjencë artificiale e vetme që komandon Diellën. Ajo është, me shumë gjasa, një ndërfaqe që përdor ChatGPT, me një sistem komandash që e bën të sillet si ministre virtuale. Vetë Rama ka përmendur bashkëpunimin me një “ekip brilant”, por gjithashtu ka pranuar se Diella përdor një model të madh gjuhësor (LLM) të përshtatur për nevojat e Shqipërisë. Kandidati më i mundshëm? GPT-5, modeli më i avancuar i OpenAI-së.
Ndërkohë, pamja e Diellës, mimika, lëvizjet dhe prezantimi në video, është prodhuar me gjasë nga ndonjë platformë të tipit Runway AI ose Google Veo3. Në sfond, njerëzit – jo robotët – kanë shkruar komandat, kanë zgjedhur pamjen, kanë redaktuar videon dhe kanë vendosur për çdo element që shfaqet. Çdokush që ka përdorur një program për gjenerimin e imazheve ose videove e di se rezultatet nuk dalin “gati për transmetim” me përpikmëri; është njeriu që udhëheq, korrigjon dhe filtron çdo gjë.
Dhe pikërisht këtu lind ironia. Diella na shitet si simbol i transparencës totale, por në të vërtetë është gjithçka tjetër përveçse transparente. Modeli i saj nuk është “open-source”, pra askush nuk mund të verifikojë nëse ajo është e paanshme. Ajo duket si një teknologji futuriste që kontrollon korrupsionin, por realiteti është se gjithçka është në duart e njerëzve që e kanë programuar, dhe ai njeri është vetë Edi Rama dhe ekipi i tij.
Ky iluzion është shumë më i rrezikshëm sesa një zyrtar i korruptuar i zakonshëm.
Shqipëria nuk ka krijuar një magjistar dixhital. Ka ndërtuar një Oz modern, një makineri që jep iluzionin e kontrollit, ndërsa pas perdes qëndron gjithmonë njeriu që komandon. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Rubicon”
Sakte fare.
E ça pastaj? Ç’ndryshon kjo ?! Na çuditet. PFFFFF!! KARVANI ECẼN .