Politike24 Maj 2024, 07:59

Marrëveshja për emigrantët drejt dështimit? Rama lëkundet për paktin me Melonin: Rregullat e BE, problem sesi do të menaxhohen kampet

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshja për emigrantët drejt dështimit? Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me shtyrjen e hapjes së dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër. Më herët u paralajmërua që këto qendra të hapeshin më 20 maj, por u shty për shkak se punimet nuk kishin përfunduar.

Në një intervistë të dhënë për ‘La Repubblica’, Rama tha se shtyrja e datës së hapjes i përket Italisë.

“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”, u shpreh Rama.

Ai parashikon beteja politike dhe shpjegoi se ligjet nuk janë shqiptare. Sipas tij, është vetëm çështje që i takon Italisë.

Rama shprehet skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga BE dhe Italia për mbarëvjatjen dhe funksionimin e këtyre dy kampeve.

“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”, tha ai.

Sipas kryeministrit do të ketë apelime, do të ketë bllokime. Dhe ky nuk është problemi i vetëm.

“Si do ta çoni përpara këtë plan? Po, mund të bëni marrëveshje, të hapni qendra në Tunizi ose Libi. Por a e dini se sa para janë në lojë për trafikimin e emigrantëve në ato brigje? Dhe gjithçka është menaxhuar shumë mirë”, shtoi ai.

Shqipëria do të pranojë migrantë që Italia do të shpëtojë në det. Një nga qendrat është në Shëngjin, në Detin Adriatik. Qendra tjetër, ku migrantët do të presin derisa të procedohet rasti i tyre, gjendet në Gjadër.

Javën e kaluar, agjencia e lajmeve ANSA raportoi se do të shtyhet hapja e qendrave për shkak të punës në ndërtim, që aktualisht po kryejnë kompanitë italiane.

“Inxhinierët e ushtrisë italiane, që punojnë në Shëngjin dhe Gjadër sipas marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës, ende nuk kanë përfunduar ndërtimin e qendrave pritëse”, raporton media italiane.

Në fillim të majit, vetëm një numër i vogël i blloqeve të parafabrikuara u instaluan në qendrën në portin e Shëngjinit. Kur të përfundojë, qendra do të jetë 4.000 metra katrorë e rrethuar me mure metalike të gjata prej katër metrash, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Pas regjistrimit, migrantët do të dërgohen në Gjadër, ku gjendet një ish-bazë ushtarake, rreth 20 kilometra larg nga porti. Në këtë vend, migrantët do të qëndrojnë derisa të trajtohen aplikimet e tyre për azil.

Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit.

Shpenzimet e ndërtimit, sigurisë dhe kujdesit shëndetësor për azilkërkuesit do të mbulohen nga Italia. Vlerësohet se gjatë pesë vjetëve, këto shpenzime do të arrijnë nga 650 milionë euro deri në 750 milionë euro.