
Kryeministri Edi Rama ka hequr dorë nga skema për të zëvendësuar mungesën e forcës punëtore me shtetas të huaj, kryesisht ata nga Bangladeshi. Në një takim me sipërmarrës privat në vend, Rama tha se ‘shtëpia nuk mbahet me miell hua’.
Kryeministri u shpreh se fasoneritë dhe bizneset e tjera duhet të kishin plane afatgjate për mbajtjen e punonjësve. Mes ironisë ai tha se profesionistët në këto sektorë kur dalin në pension nuk mund të zëvendësohen me vajzat që rrinë në tik-tok-ut. Rama bëri thirrje që të ndryshohet i gjithë sistemi i punësimit. Për sipërmarrësit tha se “janë në gojë të ujkut” nëse nuk rrisin pagat për punonjësit.
“Turizmi s’ka nevojë vetëm për vila, restorante, por ka nevojë për punonjës. Pronari nuk mund të pranojë që t’i japë 300 mijë lekë një punonjëse që është nga vendi, dhe t’i japë njërës nga Bali 1 mijë euro. Por duhet vlerësuar punonjësi vendas. nëse sot ka një problem dramatik, gjithë industria e fasonëve është se nuk ka menduar për këtë ditë. Në industrinë e fasonerive ka nga ata që kanë menduar për këtë ditë. Ato gratë që i ka marrë që në vitet 90 dhe i kanë paguar me pagë minimale i kanë marrë shpirtin të shtunë e të diel, se; na e kërkon Armani apo Versace, sot iu ka ardhur mosha e pensionit. me ke do i zëvendësojë? Me vajzat e tik-tok? Do vijnë vajzat që lozin në Tik-Tok në Kamzë, Paskuqan apo në Lezhë, në Vlorë ku kanë këto industrinë dhe do marrin makinën qepëse dhe do rrinë për 40 mijë lekë?
Ju thoni se nuk i paguani dot. Por nuk është vetëm për 40 mijë lekëshin, pasi është shumë më tepër se kaq. Por i gjithë sistemi duhet kaluar në cikël të mbyllur, në ‘Made in Albania’. Jeni në rolin e atij gomarit; oh zot bëje ëndërr se ujku nuk është duke më ngrënë. Por ujku është duke ju ngrënë, dhe po ju sheh se si t’ju sistemoj në pjatë.
Ne do marrin dhe punonjës të huaj, por nuk bëhet shtëpia me miell hua. Dhe nuk jemi në kushtet e Gjermanisë. Ne kemi mundësi që t’i kthejmë shqiptarët. Nuk po them se do gjejnë rrogat e Gjermanisë këtu, por nëse ka paga të cilat kompensojnë bilancin dhe në fund t’i dalë llogaria qoftë më pak se në gjermani, i keni këtu. S’kanë ça bëjnë atje. Pse po ikin masivisht italianët? Sepse është gjeneratë tjetër dhe s’mund të pajtohet me këtë gjë. Jemi në një moment krize të përgjithshme që për ne i ka të dyja anët e medalje”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama ia ka bërë të qartë kompanive të ndërtimit që s’do i japë më leje nëse do të deklarojnë paga minimale. Sipas tij, është e neveritshme që ka fitime marramendëse ndërsa shfrytëzohen punëtorët.
“Një nga gjërat që do të bëjmë është që s’kemi për t’i dhënë leje ndërtimi e kontrata punësh publike kompanive që nuk kanë një pagë reale të sektorit të deklaruar. Si i paguan punonjësit? Ne nuk do të financojmë me paratë e shtetit shfrytëzimin e as do të japim leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga 40 mijë lekë. Kjo është për industritë prodhuese në këtë fazë. Deri në fund të mandatit do të shkojë 45 mijë lekë.
I kemi bërë hotelerisë çdo gjë, kemi krijuar kushtet më optimale që ka rajoni, me TVSH 6% kur ankohen që nuk kanë kamarierë, recepsionistë. Kur shikon pagën minimale, po kujt ja bëjnë këtë? Ja bëjnë vetes në fakt. Të gjithë sektorët ku është bërë analiza e pagave dhe e qartë si është realiteti, do tregojmë dhe pasqyrën e realitetit. Në këtë mënyrë futemi në ndërveprim pozitiv. Kompanitë e ndërtimit kanë sot referenca shumë të ulëta të shitjeve dhe realet i dimë se çfarë janë. Është e papranueshme, e neveritshme që nga një anë të bëhen fitime marramendëse e nga ana tjetër të vijojë shfrytëzimi i krahut të punës.
Në fund të ditës e dini shumë mirë kush është stacioni i fundit i jetës, kur të shkoni te Shën Pjetri do hiqni të zinjtë e ullirit se nuk e di si do i justifikoni fshehjet e pagave. Punoni edhe për atë ditë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se sipërmarrja private kujton se i hedh ‘hi syve’ të shtetit kur jep paga minimale vetëm që të ketë sa më pak detyrime dhe të ketë mundësi për të pasur jetë luksi për vete.
Kreu i qeverisë tha se punëtorët s’kanë nevojë për para veç për të blerë bukë por duan siguri.
“S’ka pagë minimale 40 mijë lekë në ndërtim. Nuk ekziston. Janë gënjeshtra që sipërmarrja kujton se ia hedh shtetit dhe kujton se duke ia marrë punonjësve sigurimet shoqërore e shëndetësore për të blerë vilën e gjashtë do e kenë të ardhmen e sigurt. Jo s’do e kenë se do mbeten pa punëtorë. Punëtorëve s’kanë nevojë për para veç për të blerë bukë por duna të ndihen të sigurt për veten e familjen”, tha Rama.