
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka hedhur ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të detyrës dhe nënshtrim ndaj urdhrave politikë të kryeministrit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Baçi ka refuzuar ta quajë Peleshi “kryetar Kuvendi”, për shkak të mënyrës se si u ndërpre seanca e mëparshme.
“Mos kujto se mund të më vësh përpara duke qenë në atë karrige aty lart. Do ju drejtohesha si kryetar i Kuvendit, por… mos më ndërpre po të them”, u shpreh Baçi me tone të ashpra.
Ai e akuzoi Peleshin se ka ndërprerë seancën e fundit me një “ultimatum” të ardhur nga kryeministri, çka sipas tij është një precedent i paprecedentë dhe i papranueshëm në historinë e drejtimit të Kuvendit.
“Një kryetar Kuvendi që për herë të parë, ndryshe nga paraardhësit tuaj, ndërpret seancën me një ultimatum nga kryeministri, duke i thënë opozitës: ‘Nëse nuk silleni mirë, do e ndërpresim’. Nuk mund të quheni kryetar Kuvendi”, tha Baçi.
Deputeti i PD kundërshtoi pretendimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se të drejtën për të folur për procesverbalin e kishin vetëm ata që folën në seancën e mëparshme.
“Zoti Balla thotë se kush ka folur në seancën e parë mund të flasë për procesverbalin, por kush foli në atë seancë? Ne kemi të drejtë të gjithë të flasim për atë procesverbal, sepse pasqyron realitetin e munguar të asaj dite”, theksoi deputeti demokrat.
Lini një Përgjigje