Politike21 Maj 2024, 15:56

"Na kujton ditët e këqija", Berisha i përgjigjet Escobar: Ata që kërkojnë opozita të emëruara i shërbejnë putinizimit

Shkruar nga Pamfleti

"Na kujton ditët e këqija", Berisha i përgjigjet

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së zv.Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar i cili në një intervistë të dhënë në fundmi tha se uronte që “drejtimin e opozitës të mos e marrë dikush që na kujton kohët e këqija në vitet ’90.

Berisha ka kundërshtuar deklaratën e Escobar, teksa shprehet se koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë.

Sipas Berishës, në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar.

“Qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit.

Sa për kujtesë vitet ‘90 kanë qenë vitet e zgjimit dhe daljes nga diktatura. Vitet kur Partia Demokratike udhëhoqi revolucionin demokratik të përmbysjes së diktaturës më të egër të Hitlerit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhës dhe kalimin e vendit nga monizmi në demokraci. Në atë kohë James Baker do u thoshte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”!

Sa keq që pas 30 vitesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjidhjen mes këtyre dy modeleve”, shkruan Berisha