Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po mbahet peng nga mazhoranca qeverisëse, e cila sipas saj nuk po tregon vullnet të vërtetë për të zbatuar reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar dhe se vendi ka nevojë për vullnet politik jo vetëm për miratimin e ligjeve, por mbi të gjitha për zbatimin e tyre në praktikë.
Sipas saj, integrimi europian nuk mund të reduktohet në miratimin e një liste ligjesh në letër, por është një proces që kërkon standarde reale dhe transformim të institucioneve.
Deputetja u shpreh se në një kohë kur Shqipëria duhet të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në konkurrencën e ndershme në ekonomi, meritokracinë dhe transparencën në prokurimet publike, vendi po dështon pikërisht në zbatimin e këtyre standardeve që lidhen me grupkapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Europian.
Tabaku kritikoi gjithashtu përdorimin e luftës kundër korrupsionit si retorikë politike. Sipas saj, në momentin kur hetimet afrohen pranë qeverisë, ato ndalen përmes ndërhyrjeve politike. Ajo përmendi si shembuj ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe votimin e fundit në Parlament, të cilat sipas saj synojnë t’u japin mburojë politike zyrtarëve të përfshirë në korrupsion.
“Evropës nuk mund t’i kërkojmë fondet dhe të refuzojmë vlerat e saj. Nuk mund të kërkojmë projekte dhe të mos zbatojmë standardet që ato kërkojnë,” u shpreh Tabaku.
Në përfundim, ajo theksoi se për herë të disatë gjatë 12 viteve të fundit procesi i integrimit europian është bllokuar dhe se përgjegjësia për këtë situatë, sipas saj, i takon mazhorancës socialiste që qeveris vendin.
Lini një Përgjigje