Në këtë dosje përveç Veliajt, të përfshirë janë 28 persona dhe shoqëri, përfshirë bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Ditën e sotme në GJKKO do të zhvillohet seanca paraprake për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nëse do të kalojë ose jo për gjykim.
Në këtë dosje përveç Veliajt, të përfshirë janë 28 persona dhe shoqëri, përfshirë bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen e Veliajt dhe personave të tjerë, më 10 shtator.
Veliaj akuzohet se është përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Ish-deputetja akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ndërkohë ju rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese doli me një vendim për çështjen e Erion Veliajt duke i dhënë të drejtë të vijojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vendimin që u bë publik më 3 nëntor, gjykatësit u ndanë 5 me 3 në favor të kryebashkiakut Veliaj.
Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Përplasja me Ramën
Më 11 shtator, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama sinjalizoi lëvizje në Bashkinë e Tiranës duke i kërkuar Këshillit Bashkiak nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në qeli.
“Sot duhet të marrë një vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Përfaqësuesit në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje kuadrin ligjor për shkarkimin e kryetarit në detyrë. Nuk është një propozim që e bëj me zemër të lehtë. Por Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngrysë pafundësisht si një trup pa kokë”, tha Rama.
Më pas me 23 shtator, Këshilli Bashkiak shkarkoi me 50 vota pro kryetarin e saj me argumentin se mungoi në detyrë për tre muaj sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore. Zyrtarisht Veliaj u shkarkua më 25 shtator, ku Këshilli i Ministrave mori vendimin duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
Më 29 shtator, Erion Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të shkarkimit të tij si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki, mes tyre edhe Tiranës. Pas ankimimit të Veliajt, më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pezullojë dekretin e Begajt për zgjedhjet në Tiranë.
Më 31 tetor, Erion Veliaj, i cili dilte publikisht për herë të parë që nga 10 shkurti, Këshilli i Ministrave dhe institucioni i Presidencës u ballafaquan për 7 orë para trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe më 3 nëntor, togat e zeza vendosën në favor të Veliajt.
Lini një Përgjigje