TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Nëntor 2025, 17:09

Berisha bëhet gati për protestat, por mungon data

Shkruar nga Pamfleti

Berisha bëhet gati për protestat, por mungon data

Kreu demokrat Sali Berisha ka bërë thirrje për protesta popullore kundër atij që e konsideron si regjimi i Edi Ramës.

Sot kreu demokrat ka mbledhur drejtuesit e degëve të PD-së, mbledhje që pason ato të grupit parlamentar dhe kryesisë së partisë, ndërsa ka kërkuar nisjen e takimeve me qytetarët dhe njëherazi edhe evidentimin e atyre që i konsideroi si vlera të reja për t’iu bashkuar forcës më të madhe opozitare. E vetmja strukturë, që nga humbja e 11 majit, që Berisha nuk ka mbledhur është Këshilli Kombëtar, që pavarësisht se në bazë të statutit konsiderohet si forumi më i lartë politik dhe vendimmarrës, nuk është përfshirë në asnjë nga ato diskutimet që janë bërë me drejtuesit e degëve, grupin parlamentar apo Kryesinë.  

E ndërsa iu rikthye analizës për humbjen në 11 maj, që e konsideroi të detyrueshme, Berisha udhëzoi krerët e degëve që ta bëjnë këtë këtë proces duke nisur me seksionet e grupseksionet, kryesitë e degëve, por të evidentojnë afrimin e elementëve të rinj. Në këtë mënyrë, kreu demokrat duket se lëshoi udhëzimin për një hapje të strukturave të PD-së ndaj vlerave të reja, sikundër i cilësoi ai.

Gjithashtu Berisha foli për nisjen e protestave, por pa dhënë një datë se kur mund të nisin ato, edhe pse ka deklaruar se janë të vonuara.

“Përveç protestës paqësore asnjë mjet tjetër nuk mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky pushtet që tejkalon çdo lloj regjimi. Çdo shqiptar duhet të zgjojë ndërgjegjen e tij. Të ngrihemi dhe ka vetëm një rrugë, qëndresa jonë protesta jonë, asnjë rrugë tjetër. Është në detyrimin tonë madhor këtë situatë dramatike ta shqyrtojë, ta analizojë dhe të vendosim t’i përgjigjemi”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje