Rama po bëhet gati të nisë një betejë “online” ndaj atyre që i konsideron si “influencerë” në rrjetet sociale…
Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ka thirrur në një takim drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Mbledhja do të mbahet në selinë e socialistëve të mërkurën, ndërsa takimi pritet të nisë në orën 08:30.
Duket se Kreu i Qeverisë kërkon të angazhojë përtej deputetëve, edhe strukturat e socialistëve në qarqe, si një përgjigje ndaj protestave që kanë hyrë në javën e 4-rt.
Në mbledhjen e së mërkurës pritet që Rama të kërkojnë nga drejtuesit politikë të PS-së intensifikimin e takimeve në qarqet që mbulojnë, por edhe në rrjetet sociale, për të minimizuar efektet e protestave. Gjithashtu kryeministri pritet t’u kërkojë angazhimin e strukturave në takime me qytetarë, por jo vetëm, edhe një angazhim më të madh të tyre në rrjetet sociale. Kjo do të thotë se duket se Rama po bëhet gati të nisë një betejë “online” ndaj atyre që i konsideron si “influencerë” në rrjetet sociale. Deri më tani, Kryeministri ka anatemuar disa prej tyre, duke i evidentuar me emra të veçantë, por duket se në vijim do të angazhojë armatën e atyre që nga protestuesit konsiderohen si “patronazhistë”.
Një vëmendje të veçantë pritet t’i kushtohet shqiptarëve të Diasporës, që janë angazhuar masivisht në protestat qytetare në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë, por edhe duke ardhur në Shqipëri, ku i bashkangjiten protestave në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Duket se menaxhimi i komunikimit publik si dhe koordinimi i strukturave të Partisë Socialiste përballë zhvillimeve të fundit, janë prioritetet kryesore të socialistëve në këto javë. Një ditë më parë u raportua se në çdo ministri do të emërohet një zv.ministër politik, që do të luajë rolin e koordinatorit mes deputetëve dhe ministrave, por jo vetëm.
Të gjitha këto hapa të njëpasnjëshëm tregojnë se Kryeministri duket se nuk është aq i qetë sa shfaqet në fjalimet me deputetë apo mesazhet që shpërndan për qytetarët, teksa do të mundohet të parandalojë një tjetër rrjedhje të socialistëve, të cilët e paralajmëroi edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar.
Ky është takimi i dytë që Rama zhvillon brenda 4 ditësh, teksa përballë tij qëndrojnë mijëra qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme. Të shtunën e javës së kaluar, Rama drejtoi një mbledhje të grupit parlamentar të PS-së, bashkë me ministrat, ku bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet ose të dorëzojë timonin sikundër deklaroi ai.
Rama sulmoi protestuesit, ndërsa fajësoi algoritmin që shpërndan në rrjetet sociale deklarata të pavërteta, duke krijuar një realitet të paqenë. Kryeministri kërkoi angazhimin e deputetëve në këtë përballje me protestuesit, edhe pse pjesa më e madhe e grupit parlamentar socialist duket se nuk ka ndërmend të përfshihet në një përballje verbale me qytetarët që kanë si kauz të tyre largimin e asaj që e konsiderojnë si politika e vjetër. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje