TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Maj 2025, 19:11

Nga “Memorandumi i Kuçit” te sondazhet: Kush do të triumfojë nesër dhe a do të surprizojnë partitë e reja?

Shkruar nga Pamfleti

Nga “Memorandumi i Kuçit” te sondazhet: Kush do të

Parashikimi i Ramës, parashikimi i sondazheve dhe çfarë duhet të presim nesër...

Shqipëria hyn nesër në ditën e saj vendimtare. Qytetarët do të votojnë për një Parlament të ri, në një klimë të polarizuar politike dhe me një fushatë të dominuar nga akuzat, ofendimet dhe një garë e ashpër për pushtet.

Në listë janë 11 subjekte politike, ku padyshim sytë janë te partitë e reja. PS duket e vendosur që e ka fitoren në xhep. Rama pretendon se siguron mbi 78 mandate, ndërsa PD shprehet se sondazhet janë të paguara. Pra nesër çfarë duhet të presim: Një rezultat si ai që parashikojnë sondazhet, apo do të ketë surpriza?

Nëse përmbledhim 4 sondazhet kryesore, ai i publikuar nga Barometri dhe Euronews, ai i Top Channel me McLaughlini, i Report Tv me Piepolin dhe sondazhi News 24 me Antoni Noto, kemi këto të dhëna:

Partia Socialiste (PS): Përqindje mesatare ~47.3%; Mandate të pritshme: 72–76 mandate.

Partia Demokratike (PD): Përqindje mesatare ~34.5%; Mandate të pritshme: 48–52 mandate.

Partia Mundësia: Përqindje mesatare ~5.3%; Mandate të pritshme: 7–9 mandate.

Shqipëria Bëhet: Përqindje mesatare~5.8% Mandate të pritshme: 6–8 mandate.

Lëvizja Bashkë: Përqindje mesatare ~1.7%. Mandate të pritshme: 0–1 mandat

Por a janë të sakta shifrat?

Në një vend ku mediat janë të politizuara dhe sondazhet shpesh përdoren si armë propagandistike, qytetari mesatar ka pak garanci se po merr një pasqyrë të drejtë të situatës. Ndërkohë, vetë Rama ka përdorur shifrat e “memorandumit të fitores” për të ngritur moralin elektoral dhe për të rritur ndjesinë e epërsisë mes elektoratit të tij.

Sigurisht, Rama nuk flet në hava. Rama ka kryer sondazhin e fundit të brendshëm nga kompania izraelite që e këshillon dhe ka dalë në këto shifra. Duke qenë se në zgjedhjet e 2021 i dolën shifrat, Rama pretendon se do të godasë sërish.

Ndërkohë me shumë interes priten të rinjtë. Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë presin të kenë deputetë në Parlament. Dy të parat në sondazhe dalin mirë dhe sipas tyre do kenë disa mandate. Por Lëvizja Bashkë në zgjedhjet vendore surprizoi edhe pse nuk dilte në sondazhe dhe nuk është çudi ta bëjë sërish.

Pra duhet të shohim, do kemi një rezultat sipas sondazheve, një rezultat sikundër pretendon Rama, apo asnjëri dhe as tjetri dhe forcat e reja do të bëjnë diferencën. /Pamfleti

Lini një Përgjigje