Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në sulme shumë të ashpra ndaj Ilir Metës. Ndonëse dikur të dy ishin bashkë në qeveri, sot për Ramën ai është një “mi gjirizi”.
Kryeministri ishte në Kurbin këtë pasdite për të dhënë mbështetjen ndaj Majlinda Carës. Por sulmet ndaj dyshes Meta-Berisha nuk munguan. Me aleatin e tij Rama ishte shumë i ashpër, pasi sipas tij, ai i ka në gjak zullumet.
“I djathtë që shkon te Likja. Po Likja ç’ punë ka me të djathtën. Ore kyeministër ishe, president po. Po çfarë do more, rri rehat. Po ku ka rehat mor. Po miu që del nga gjirizi në gjiriz do kthehet se nuk ka ku shkon tjetër. Njeriu që është bërë pjesë e zullumit në zullum do kthehet”, tha Rama.
Më tej ai sulmoi Berishën, duke u ndalur sërish te “non grata”. Kryeministri duket se po shfrytëzon qëndrimin amerikan për interesat e tij në fushatë. Ai u shpreh se amerikanët nuk e duan Berishën dhe për këtë arsye kërkoi që të mos ketë vota për kandidatët e tij.
“Na i thonë me vulë, këtë që keni votuar për 30 vite, që ka qenë presidenti juaj, kryeministri juaj, nuk duam ta shohim me sy. Na i hiqni sysh. E thonë ata, jo unë. E thotë SHBA, e thotë BE me vepra, e jo me fjalë. Se BE nuk e ka “non gratën”, por i ka dyert e mbyllura për “non gratën” këtu. Të djathtët thonë se punë e madhe çfarë thotë SHBA se ne jemi me “non gratën”. Por për çfarë arsye? Unë jam i shqetësuar se ndërkombëtarët do shohin se sa vota i kanë dhënë këtij individi që ne po u themi na e hiqni nga shoqnia jonë. Sepse na kanë futur në shoqninë e tyre në kuptimin e plotë të fjalës. Thonë mirë mo se po ecim bashkë, po ju mbështesim, por nuk e duam me vete këtë. Këta të djathtët çfarë duan? Po pse mo për Beharin do diskutojmë ne këto gjëra?”, tha ai.
Rama u ndal dhe te sulmet që Berisha ka lëshuar kundër ambasadores amerikane. Ai e krahasoi atë me një të çmendur.
“Një rrangallë që vjen vërdallë. Ambasadorja amerikane ka një video me njonën, ka orgji këtej se fola me njërin. Këto nuk i durohen një budallai të lagjes. Çfarë është ky mo? As ahet, as gëlltitet, as tretet”, tha Rama.
Duket se kemi hyrë në javën e fundit të fushatës dhe situata është nxehur, retorika është ashpërsuar dhe targeti i Ramës janë Meta e Berisha.
Lini një Përgjigje