Politike13 Prill 2024, 21:40

Pagesa deri në 140 mijë paund/ SPAK ‘nuk i ndahet’ Metës dhe Kryemadhit, hetime deri në Londër për shkollimin e fëmijëve!

Shkruar nga Pamfleti

 

Pagesa deri në 140 mijë paund/ SPAK ‘nuk i ndahet’
Familja Metaj

Prokurorët verifikime mbi milionat që Meta e Kryemadhi kanë hedhur në Londër për shkollimin e vajzës dhe të djalit...

Prokuroria e Posaçme duket se ka izoluar Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Prej më shumë se 30 vitesh, çifti i PL jetojnë në luks të shfrenuar, ndonëse gjithë jetën kanë qenë me rroga shteti. Por duket se tani ka ardhur momenti që të japin llogari se si e kanë vënë gjithë atë pasuri.

Dy ditë më parë ishte në SPAK e ëma e Monika Kryemadhit, e cila konfirmoi se Prokuroria po heton pallatin që u ngrit te toka e Monikës. Kjo e fundit përfitoi 13 apartamente nga një marrëveshje me kompaninë e ndërtimit, por SPAK ka dyshime se mund të kemi të bëjmë me pastrim parash. Po ashtu në skaner janë dhe vila te Gjiri i Lalëzit dhe apartamentet e tjera në Bllok apo Kodra e Diellit.

Por jo vetëm kaq. Sipas burimeve të “Pamfletit” në SPAK, po bëhen verifikime dhe për pagesat që janë bërë për pagesat e shkollimit të fëmijëve. Bora dhe Besari kanë studiuar të dy në Londër.

Kjo gjë është bërë e qartë fillimisht nga Meta dhe Kryemadhi në deklarimin pasuror për vitin 2017: “Llogari banakre 140 000 GBP, (paund), konvertuar nga llogaria në euro në po këtë bankë vetëm me të drejtë pagese për shkollën për vajzën Znj. Bora Metaj dhe djalin, Z. Besar Metaj”.

Pagesa deri në 140 mijë paund/ SPAK ‘nuk i ndahet’
Deklarimi në ILDKP

Po ku studiojnë fëmijët e tyre? Ka qenë vetë Kryemadhi, e cila në vitin 2022 njoftoi diplomimin e vajzës për Matematikë në Exeter të Anglisë dhe master Financë në UCL. Bëhet fjalë për universitete jo të lira dhe sipas të dhënave kostoja në vit shkon gati 60 mijë paund.

Vetë Meta e Kryemadhi vetëm në vitin 2017 kanë deklaruar pagesa për shkollimin e fëmijëve në nivele kaq të mëdha, ndërsa më pas kanë deklaruar vetëm shuma të vogla për shpenzime. “Gjendja e llogarisë bankare në emër Znj. Bora Metaj dhe Z.Besar Metaj, 11 940 GBP. Shuma është depozituar nga Znj. Kryemadhi për shpenzime shkollimi”, është deklaruar në vitin 2018.

Por këto deklarime nuk kanë bindur SPAK dhe mësohet se janë dërguar letër-porosi në Londër, për të marrë të dhëna zyrtare mbi pagesat që janë bërë për fëmijët e Metës. Po ashtu po verifikohet se ku kanë qendruar ata dhe kanë pasur shpenzime për qira, etj. Madje, thuhet se është marrë në pyetje dhe vajza Bora Metaj, por nuk konfirmohet zyrtarisht.

Me pak fjalë, SPAK ka hyrë thellë te pasuria e Metës dhe duket se kjo është arsyeja që ish-presidenti merr malet, hipën nëpër hekura dhe është gati të shesë gruan. /Pamfleti

 

meta kryemadhi