TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Shkurt 2026, 10:54

Pas Kushtetueses dhe para nisjes për në Bruksel, Rama “vë në rresht” grupin parlamentar të PS

Shkruar nga Pamfleti
Pas Kushtetueses dhe para nisjes për në Bruksel, Rama “vë
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të drejtojë një mbledhje të Grupit Parlamentar socialist, përpara nisjes për në Bruksel, ku do të ketë një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Kosta.

Mbledhja e Grupit të PS-së mbahet një ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi vijimin e betejës sa i takon qëndrimit të mbajtur nga Gjykata Kushtetuese lidhur me një ankim të depozituar nga Kreu i Qeverisë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar gjithashtu ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, e pezulluar nga funksionet qeveritar.

Rama iu drejtua Kushtetueses për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Kushtetuesja nuk arriti të marrë një vendim pasi 8 anëtarët e saj u ndanë 4 me 4, pa krijuar një shumicë që mund të rrëzonte pretendimet e Kryeministrit ose t’i jepte të drejtë.

Rama e konsideroi qëndrimin e Kushtetueses si vijimin e një budallallëku. “Zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, tha Rama një ditë më parë.

Ndërkohë kërkesa e SPAK depozituar në Kuvend për një masë sigurie më të fortë ndaj Ballukut pritet të merret në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve. Ky i fundit priste një vendim nga Kushtetuesja për të vijuar me procedurat. Nuk dihet nëse Këshilli do të mblidhet gjatë javës dhe çfarë do të ndodhë me kërkesën e SPAK-ut në një kohë kur Balluku është pezulluar nga funksionet qeveritare.

Ndërkohë takimi në Bruksel me Antonio Costa pritet të ketë në qendër të vëmendjes negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Ky takim në Bruksel është i pari që nga momenti kur Shqipëria iu bashkua “Bordit të Paqes” të Trump, ndërkohë që shumica e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, nuk iu bashkuan kësaj iniciative.

 

 

edi rama grupi i ps kushtetuese

Lini një Përgjigje