Politike22 Shkurt 2024, 11:23

Pas pikës së voçkël të Manastirit, Kumbaro 'garanton' edhe ligjin për Zonat e Mbrojtura!

Shkruar nga Pamfleti

Pas pikës së voçkël të Manastirit, Kumbaro

Ditën e sotme Kuvendi miratoi me 74 vota pro ligjin për Zonat e Mbrojtura. 

Pas seancës plenare, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro komentoi jashtë Kuvendit  ligjin për Zonat e Mbrojtura, një ligj i kundërshtuar nga shumë opozita.

Pas garancisë së famshme për pikën e voçkël që betonizoi Manastirin, ministrja e Turizmit ka dhënë një tjetër garanci.

Në një prononcim për mediat Kumbaro tha se ligji për Zonat e Mbrojtura nuk dëmton mjedisin dhe se nuk shkel direktivat e parashikuara nga BE-ja. Ministrja theksoi se amendamente e ligjit u miratuan sot pas një konsultimi të gjerë publik me qytetarë të shoqërisë civile dhe organizata mjedisore.

Kumbaro tha se nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura dhe se nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Sipas ministres amendamentet që u miratuan sot hapin rrugë për rregulla më të qarta në zonat e mbrojtura.

'Ndërkohë në informacion e të gjithëve në transmetime direkte ka pasur shumë konsultime publike, kam pasur takime formale dhe informale me organizata mjedisore dhe qytetarë të shoqërisë civile..Dua të kujtoj këtu lumin Vjosa që falë një bashkëpunimi disa vjeçar u shpall me 480 km rrjedhimore lumi me tre degët e veta park kombëtar, i vetëm që ka ngelur i egër në Europë. ..Nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Amendimet që u miratuan sot hapin rrugë për rregulla më të qarta në zonat e mbrojtura.', tha Kumbaro.

Më herët, deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se Shqipëria shumë shpejt pritet të marrë një notë protestë nga Bashkimi Europian në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura, të cilin mazhoranca e miratoi në seancën e fundit të Kuvendit, vetëm me votat e saj.

“Nëse flasim për parlamentin e kapur dhe shkeljen e procedurës, ky është shembulli më i mirë. Kam kohë që përpiqem që betejën ta bëjmë në institucione, por në kushte kur dhe deputetë të PS, vota e tyre nuk ka vlerë…. me këtë ligj qeveria tregoi se nuk njeh asnjë limit dhe votuan një ligj që janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura”, tha Tabaku.

Ndërsa kreu i Grupit Parlametar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha se me këtë ligj se qeveria kërkon të gllabërojë pasuritë kombëtare të shqiptarëve me ligjin e ri për zonat e mbrojtura që u miratua sot në Kuvend. 

“Ligji për zonat e mbrojtura ku edhe njëherë planifikohet të gllabërohet pasuria kombëtare e shqiptarëve. Seanca vazhdoi të jetë jo një seancë normale sa kohë nuk përmbushen kërkesa e opozitës. (...) Padyshim që do ketë një vlerësim, nëse ka argumente për kundërshtim në GJK do i drejtohemi”, tha Bardhi.

 

ligjin për zonat e mbrojtura mirela kumbaro