
Ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi në Peqin pasditen e kësaj të hëne kandidatin e koalicionit opozitar për kryetar bashkie, Mustafa Pashja.
Në fjalën e ai u shpreh se kandidatët e PD janë më të mirët ndonjëherë, pasi ata dolën nga vota e anëtarësisë, nga primaret. Pra duket se Berisha e ka hallin te kandidatët që do të nxjerrë Alibeaj, i cili do rivalizojë ata të “Primareve”.
"Miqtë e mi, kandidatët e primareve janë nuset dhe dhëndurrët e lirisë. Ne vendosëm një standard që nuk ka ekzistuar më parë, por ju garantoj ju se për lirinë, ky është standardi më i mirë që ekziston sot dhe në vendet më të zhvilluara të botës.
Dhe kur në takime para një viti e gjysëm, demokratët kërkonin kudo që ne duhet të zgjedhim vetë, kryetarin tonë të partisë, duhet të zgjedhim vetë kryetarin tonë të bashkisë, deputetin tonë, dhe jo të na i emëroni ju, unë premtova një gjë të tillë. Premtova me besimin më të madh se ju keni një shkallë formimi politik shumë të lartë. Se ju keni një shkallë vlerësimi të shkëlqyer dhe koha provoi se sot në Peqin dhe mbarë Shqipërinë se ne kemi kandidatë më të mirë se kurrë më parë.
Krahasoni pak këta kandidatë me krahun tjetër që vijnë sikur vijnë nga bodrumet e mafias. Që shpallen në ora 1 të natës. Që nuk kanë takuar një socialist, një demokrat, një të paparti për tu vlerësuar, por që të gjithë nga padrinoja i mafias më të rrezikshme në Europë, nga Edi Rama. Që të gjithë mbi haraçin që paguajnë, mbi lidhjet e krimit që kanë, mbi vjedhjet që kanë bërë.
Ju e ndoqët procesin e emërimit të tyre, diku kërciti dajaku në mbledhje, diku tjetër u vendosën hekurat në duar, të tjerë u thirrën në SPAK se nuk po bindeshin, kurse ne gjithçka e lamë tek ju, tek besimi, vullneti, juaj dhe të jeni të sigurtë se ky është një investim i madh për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi.
Ne besojmë shumë në dinjitetin njerëzor, besojmë se ai që do të zejë vendin e qytetarit të parë, kryetarit të bashkisë, ai duhet të jetë gjithçka i varur nga ju, pafundësisht mirënjohës ndaj ju, ai duhet të jetë një shërbëtor ndaj jush. Ai duhet të bëjë gjithçka që të tregojë se e meritoi votën tuaj. Dhe ky është rregulli i demokracisë, ky është përfaqësimi demokratik", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje