Politike23 Shkurt 2024, 13:32

Pazaret e fshehta për amnistinë: sekserët e krimit negociojnë në parlament!

Shkruar nga Pamfleti

 

Pazaret e fshehta për amnistinë: sekserët e krimit
Amnistia Penale /

Cila është arësyeja e vërtetë e tërheqjes së ligjit të amnistisë nga votimi?

Një ditë më parë u shit në publik se ligji i amnistisë u shty si pasojë e një akordi të munguar ndërmjet mazhorancës dhe Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. Ku kjo e fundit, ka si pikësynim kryesor që të amnistojë të gjithë personat e gjykuar apo dënuar në protestat e viteve të fundit, që nga unaza e re e me radhë. Broçkulla!

Një amnisti e gjërë, e cila bën një lirim horizontal për disa vepra penale me dënim dy vite e poshtë, apo edhe tre vite e poshtë; i ka të përfshirë të gjithë personat që janë dënuar apo kanë të hapur një proces gjyqësor për vepra penale në këtë hapësirë kohore.

Një amnisti, në logjikën e saj klasike, kap përgjithësisht të dënuar në fundin e dënimit të tyre apo të tillë që janë ndëshkuar me vendim të formës së prerë me një homologim të kësaj mase.

Edhe pa deklarimin e politikanëve, të gjithë njerëzit e ndaluar apo dënuar si protestues, nëse janë në burg apo në proces penal do të lirohen nga “prangat ligjore”.

Është një logjikë e thjeshtë; amnistia nuk është falje apo pafajësi.

Ndërkaq, është po aq logjike që amnistia nuk kap asnjë të dënuar nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, apo ato personazhe që kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ku janë të përfshirë figura të njohura politike. Amnistia nuk është për ta, madje edhe sikur t’ua ofrojnë, askush prej tyre nuk do ta pranonte. Bëhet fjalë për të dënuarit me korrupsion e shpërdorim detyre, sepse një amnisti e tillë, i konsideron automatikisht fajtor dhe ua djeg karrierën.

Amnistia është një mekanizëm që vlen shumë për kriminelët, pasi problemi më i madh i tyre është burgu.

Burgjet në Shqipëri nuk janë thjesht vende ku mbyllen njerëzit e dënuar, por janë banka që prodhojnë miliarda. Mjafton një e dhënë e thjeshtë; në dyqanet e burgjeve, çdo mall kushton më shtrenjtë se në aeroport. Dhe koncensionet për këto biznese i kanë emra të mëdhej të botës së krimit.

Në kohën e Enver Hoxhës, amnistia bëhej lineare, dihej kush përfitonte e kush jo. Sepse kishte një të mesme aritmetike përgjithësisht për ata me krime të lehta, pra rrahje apo sjellje të pahijshme, si dhe të dënuarit rëndë që u kishin mbetur 2-3 vjet burg.

Në Shqipëri, që nga 1992, amnistitë kanë qenë edhe më shumë se kaq. Madje në vitin 1997, Parlamenti miratoi një amnisti ku liroi vrasësit e mëdhenj. Thuhet se ajo amnisti prodhoi aq para, sa kapi edhe fitimet e firmave piramidale. Nga ajo ditë amnistia u kthye në bisnes, e gjithmonë kur ndodh ka negociata të nivelit të “lartë”. Padyshim që amnistia nuk mund të lirojë njerëz që kanë dënime të larta, por mund të zbusë dënimet e larta, e këtu ka nisur diskutimi, dhe në burgjet shqiptare është rritur shumë bursa, po kërkojnë të paguajnë të gjithë ata që mund të përfitojnë nga një amnisti. Kush grumbullon më shumë para, siguron një nen apo amendament në ligjin e ri. Ndaj dhe është ndaluar miratimi…/Pamfleti

amnistia penale sekserët e krimit parlamenti pazaret e fshehta