Politike22 Shkurt 2024, 22:28

“Berisha-Rama prishën sistemin elektoral në 2008”, Dashamir Shehi: Parlamenti të ketë 100 deputetë!

Shkruar nga Pamfleti

“Berisha-Rama prishën sistemin elektoral në 2008”,

Deputeti dhe kryetari i partisë LZHK, Dashamir Shehi thotë se sistemi elektoral u shkatërrua në vitin 2008 me marrëveshjen që bënë në atë kohë Sali Berisha dhe Edi Rama.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehi deklaroi se mënyra më e mirë e sistemit elektoral në Shqipëri ka qenë mazhoritar i korrektuar.

Mënyra më e mirë ishte mazhoritar i korrektuar që kishim deri në 2009. Ishte i pari i vitit ‘92 që vazhdoi deri në ‘96 i cili nuk kishte tavan. Kur ju vendos tavani 40% bëri që disa parti të humbisnin vota, partitë e mëdha shkonin aty-aty, por parti që mund të merrni 8 deputetë, merrnin 5-6. Ne vazhdojmë nëpër lista të njëjtin numër zgjedhësish, por numri real i zgjedhësve është i vogël”, tha ai.

Shehi foli edhe për futjen në politikë të personave me rekorde kriminale, përfshirjen e të cilëve ua faturoi kryetarëve të partive.

“Banditët partia i fut në listë. Në qoftë se janë futur banditë në politikë janë futur me firmën e kryetarit. Ato që themi banditë e të fortë, nuk janë futur me grushte, me para janë futur. E prishën në 2008 Berisha dhe Rama për të përqëndruar listën te kryetari. Kjo u bë që të kontrollohej edhe partia nëpërmjet listës së deputetëve. Kështu ka ndodhur. U prish sistemi dhe humbi dhe një pjesë e demokracisë. Korrigjohet, ndrysho sistemin. Populli shqiptar të ketë të drejtën përveç partisë të zgjedhi dhe njeriun”, u shpreh Shehi. 

Dashamir Shehi ngre edhe çështjen e numrit të deputetëve në Parlament, që sipas tij duhet të ulet nga 140 në 100 deputetë.

Ç’është ky sistem i çuditshëm në një vend kaq të vogël? Ka ardhur dita për të bërë 100 deputetë se vendi po rrallohet. Po ky sistem që e ndan Shqipërinë e vogël në 12 pjesë? Ky është një gjest që s’ka lidhje me Shqipërinë. Jam për sistem kombëtar. Këto bëhen në qoftë se duan të rregullojnë politikën”, tha ai.