Veliaj në Kushtetuese me kartën turke të demokracisë; Venecia godet modelin Erdogan
Erion Veliaj ka vendosur të përdorë precedentin turk për të rrëzuar Edi Ramën, sa i takon përplasjes për shkarkimin.
Nesër mbahet në Kushtetuese seanca për të përcaktuar ligjshmërinë e shkarkimit dhe Veliaj ka dorëzuar si pjesë të mbrojtjes së tij raportin e fundit të Komisionit të Venecias, të miratuar më 10 tetor 2025 në sesionin e 144-t të këtij organi të Këshillit të Evropës.
Raporti, i fokusuar në rastet e Turqisë, analizon ndikimin e ndalimeve dhe shkarkimeve të kryetarëve të bashkive opozitare dhe e cilëson këtë praktikë si një deformim të demokracisë lokale.
Dokumenti i Venecias, që përfshin shembujt e Ekrem Imamoğlu në Stamboll dhe dhjetëra kryetarëve të tjerë të opozitës turke të pezulluar me urdhër politik, thekson se ndalimi apo pezullimi i përfaqësuesve të zgjedhur “sfidon parimin e prezumimit të pafajësisë dhe rrezikon pluralizmin politik”. Raporti citon se “paraburgimi apo pezullimi i një kryetari të zgjedhur duhet të jetë i jashtëzakonshëm, i justifikuar me prova konkrete dhe proporcional me interesin publik”, duke shtuar se ndërhyrjet arbitrare në mandatin e zgjedhur dëmtojnë drejtpërdrejt të drejtën e votuesve.
Ky qëndrim, i mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mund të shërbejë si argument i fortë për Veliajn në përballjen me kërkesën për shkarkim. Në raportin e Venecias theksohet se “demokracia vendore nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhje të lira, por edhe me mundësinë që përfaqësuesit e zgjedhur të ushtrojnë mandatin pa ndërhyrje politike”. Po ashtu, dokumenti paralajmëron se “kufizimet e vendosura për arsye të tjera nga ato ligjore bien ndesh me frymën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Ky precedent ndërkombëtar synon të vendosë standardin e demokracisë lokale, duke shmangur që Shqipëria të bjerë në të njëjtën spirale me “modelin turk të pezullimeve politike”.
Në thelb, mbrojtja e Veliajt argumenton se ndërhyrja e Këshillit Bashkiak dhe procedura për shkarkim bien ndesh me parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore, të cilat garantojnë që mandati i zgjedhur nuk mund të shfuqizohet pa vendim përfundimtar gjyqësor.
Pjesë nga Raporti i Komisionit të Venecias
1. “Pezullimi ose ndalimi i një përfaqësuesi të zgjedhur duhet të jetë i jashtëzakonshëm; ai duhet të justifikohet nga arsye të qarta dhe të mbështetet në prova konkrete. Vetëm prania e një interesi të vërtetë publik mund të tejkalojë rregullin e respektimit të lirisë individuale.” (faqe 20)
-2. “Kur personi i ndaluar është një përfaqësues i zgjedhur, autoritetet duhet të marrin parasysh kontekstin e veçantë të mandatit publik që ai ushtron. Çdo ndalim i gjatë apo pa bazë të qartë cënon përfaqësimin demokratik.” (faqe 19)
3. “Paraburgimi apo pezullimi i kryetarëve të bashkive, kur perceptohet si joproporcional, sfidon prezumimin e pafajësisë dhe rrezikon të shtypë pluralizmin politik.” (faqe 6)
4. “E drejta për t’u zgjedhur është e lidhur ngushtë me të drejtën për të ushtruar mandatin; ajo do të ishte një guaskë boshe nëse përfaqësuesit e zgjedhur nuk do të mund të kryenin detyrat në emër të votuesve.” (faqe 22)
5. “Kufizimet ndaj të drejtave politike nuk mund të përdoren për qëllime të tjera përveç atyre të përcaktuara me ligj; çdo qëllim i fshehtë që synon eliminimin e opozitës bie ndesh me frymën e Konventës Evropiane.” (faqe 23)
6. “Demokracia vendore nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhje të lira, por edhe me mundësinë që përfaqësuesit e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje arbitrare.” (faqe 27)
7. “Autoritetet shtetërore duhet të përmbahen nga përdorimi i gjerë i ndalimeve apo shkarkimeve politike që nuk bazohen në prova të qarta të shkeljeve ligjore.” (faqe 7)
8. “Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore garanton që përfaqësuesit vendorë duhet të jenë të lirë në ushtrimin e mandatit të tyre; çdo kufizim duhet të jetë i përcaktuar qartë me ligj dhe i nevojshëm në një shoqëri demokratike.” (faqe 8)
9. “Zëvendësimi i një kryetari të zgjedhur me një emërim nga qeveria qendrore përbën rrezik serioz për legjitimitetin demokratik dhe autonominë vendore.” (faqe 18) /Pamfleti
Lini një Përgjigje