
Basha është ndoshta personi që di më shumë nga të gjithë. Ai e di mirë se çfarë ndodhi atë ditë dhe nga erdhën urdhrat për të kryer ekzekutimet...
Pas një periudhe të gjatë jashtë kamerave dhe publikut, ish-kreu demokrat Lulzim Basha është rishfaqur ditën e sotme. Pak më parë ai është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai është thirrur nga prokurori Alfred Shehu, si person në dijeni për ngjarjet “21 Janarit”. Dosja prej më shumës e një viti është në duart e SPAK dhe Lulzim Basha është ndër personazhet kryesorë.
Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë i dha fund “ping pongut” me dosjen e “21 Janarit”. SPAK i trembej kësaj dosje dhe tentoi ta ngecte te Prokuroria e Tiranës. Gjykata e Lartë vendoi që kjo vrasje shtetërore të hetohet nga prokurorët specialë, të cilët duhet të marrin nën hetim dy emra të rëndësishëm: ish-kryeministrin e asaj kohe Sali Berishën dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Dikur aleatë në krim, ndërsa sot armiq të betuar.
Berisha nuk ka treguar kurrë pendesë për 4 vrasjet. Madje është mburrur me krenari. Lulzim Basha i është shmangur gjithmonë kësaj ngjarje. Dhe për të qenë më të saktë, Basha është ndoshta personi që di më shumë nga të gjithë. Ai e di mirë se çfarë ndodhi atë ditë dhe nga erdhën urdhrat për të kryer ekzekutimet. Por ai është shmangur.
Kur nisi betejën me Berishën, Basha i dërgoi një mesazh të koduar ish-kryeministrit, pasi i përmendi “21 Janarin”. “PD ka qenë dhe është e gatshme të përballet me çdo situatë. Në miniaturë Berisha kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 janar, por unë nuk u përgjigja, siç u përgjigj Berisha në 21 janar”, ishte kjo deklarata e Bashës që bëri bujë. Dukej qartë që ishte kërcënim, por që Basha e ndërroi pllakën shumë shpejt. Ai tha më pas se e kishte fjalën për qëndrimin publik që mbajti Berisha, duke nënkuptuar sulmet ndaj Bamir Topit apo Ina Ramës.
Ky ishte rasti i vetëm kur Basha foli hapur për 21 Janarin. Por tani shtrohet pyetja: A do të flasë Basha? Padyshim që Basha e di se çfarë ndodhi dhe është shmangur sepse ka dhe vetë gisht. Mirëpo nëse të dy rrezikojnë burgun, a do kthehet Basha në një “pentito”? A do të thotë ai se ishte Berisha ai që dha urdhër të qëllohej?
Po ashtu krah Bashës është dhe një emër tjetër që nëse flet, fundos ish-kryeministrin. Bëhet fjalë për Endri Hasën, i cili sot është krah Lulzim Bashës, por dikur ka qenë shef i IT në Kryeministri dhe ai është akuzuar si personi që fshiu serverat dhe kamerat e sigurisë.
Dosja e “21 Janarit” u rihap pas publikimit të një audioje nga gazetari Artan Hoxha, ku duket se ish-kreu i Gardës në atë kohë urdhëron të qëllohet ndaj protestuesve. Gjykata e Lartë urdhërori që të hetohen rolet e Bashës dhe Berishës dhe deri më tani SPAK ka marrë disa dëshmi të rëndësishme nga familjarët e viktimave, deri te Ndrea Prendi, apo gazetarët Fatos Mahmutaj dhe Artan Hoxha. Por dëshmia e Bashës është më e rëndësishmja, pasi ai e di shumë mirë se çfarë ndodhi më 21 janar 2011 dhe kush e dha urdhrin e vrasjeve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje