Politike 3 Mars 2024, 09:15

Presioni i Erdoganit nuk piu ujë, alarm në Turqi pas rikonfirmimit të Bujar Spahiut në krye të KMSH!

Shkruar nga Pamfleti
Presioni i Erdoganit nuk piu ujë, alarm në Turqi pas rikonfirmimit
Erdogan-Bujar Spahiu

Mediat turke janë hedhur në sulm pas rikonfirmimit të Bujar Spahiut në krye të KMSH...

Erdogan nuk ja doli as këtë herë të ndikojë te Komuniteti Mysliman Shqiptar. Dje Bujar Spahiu u rikonfirmua në krye të KMSH me shumicë absolute votash, duke bërë që presionet e Erdognait të mos pinë ujë.

Gjatë vizitës së Ramës në Turqi, por edhe kur ministri i Jashtëm turk erdhi në Tiranë pak javë më parë, një nga kërkesat kryesore ishte që ‘gylenistët’ të ikin nga Komuniteti Mysliman. Spahiu cilësohet si gylenist nga Erdogan dhe për shkak të kësaj çmendurie, është bllokuar inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë. Por edhe pse Ankaraja kërkon me ngulm “kokën” e tij, dje u dha mesazhi i qartë se në Shqipëri nuk mund të bëhet siç kërkon sulltani turk.

Por ky rezultat i zgjedhjeve ka alarmuar Ankaranë. Mediat pranë Erdoganit janë hedhur të gjitha në sulm. Nëse shihen me kujdes portalet turke, më shumë e kanë pasqyruar ato procesin zgjedhor në KMSH sesa mediat shqiptare. Aq të vëmendshme kanë qenë mediat turke, por dhe sa të njëanshme, pasi fokusin e kanë vendosur te protesta që u zhvillua jashtë Medresesë, aty ku u mbajt votimi.

Disa hoxhallarë që financohen nga Turqia, nxorën besnikët e tyre në protestë dhe mediat turke i kanë bërë jehonë, pasi sipas tyre, besimtarët myslimanë duan pastrimin e KMSH nga gylenistët. Madje sipas tyre, zgjedhjet ishin të manipuluara.

Me thirrjen e organizatave joqeveritare dhe të disa qytetarëve shqiptarë, dhjetëra persona duke brohoritur sloganin “KMSH-ja t'u kthehet myslimanëve shqiptarë” u mblodhën në Medresenë e Tiranës në kryeqytetin Tiranë. Qytetarët shqiptarë para medresesë mbanin pankartat: "Legjitimitet për KMSH-në", "Gylenistët pushtues të KMSH-së të largohen", "Demokraci për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë", " FETO , lëri shqiptarët myslimanë të qetë", "Shpëtoni Komunitetin Mysliman të Shqipërisë nga tentakulat e FETO-s" dhe "Gylenistë nuk ju duam". Ndërsa protesta u zhvillua gjatë zgjedhjeve presidenciale në KMSH, demonstruesit theksuan se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe nuk përfaqësonin vullnetin e myslimanëve në vend”, shkruan televizioni “Yirmidort”.

Ndërsa “IHA” shkruan: “Në sallën e Medresesë së Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, janë mbajtur zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të menaxhuara nga organizata terroriste FETO. Në zgjedhjet, në të cilat kandidatë për kryetar ishin edhe dy emra të tjerë, përveç presidentit aktual Bujar Spahiu (anëtar i FETO-s), Spahiu u rizgjodh kryetar me votat e asamblesë së përgjithshme, shumica e të cilët janë po anëtarë të FETO-s. Ndërkohë që mbaheshin zgjedhjet, jashtë medresesë u mblodhën dhjetëra persona në një protestë të organizuar nga organizatat joqeveritare. Përfaqësues të organizatave civile që folën gjatë protestës, deklaruan se zgjedhjet ishin teatër dhe se FETO e kishte marrë peng këtë institucion dhe se asnjë grup tjetër në Shqipëri nuk ishte i përfaqësuar në KMSH dhe se udhëzimet për këtë institucion, të drejtuar nga mbështetësit e FETO-s, janë dhënë nga Fetullah Gylen”.

Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe media të tjera si “TRT Haber”, “Soz Bursa”, “Beyaz Gazete”, “Haber 27”, etj. Që të gjitha mediat pretendojnë se zgjedhjet ishin ta manipuluara sepse ka ndërhyrë FETO. Kjo dëshmon qartë alarmin në Ankara. Rama duket se nuk e përmbushi dot kërkesën e vëllit të tij turk, ku Erdogan ja bëri të qartë se kërkon luftë të fortë ndaj gylenistëve.

Edhe më herët kemi thënë se në mes janë amerikanët dhe sado Rama mund të tentojë të plotësojë tekat e sulltanit turk, në fakt kur vjen puna te Gylen, SHBA nuk lejon të preket askush. Në fund të fundit Shqipëria është shtet më vete, KMSH është i pavarur dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë aty. Dje mesazhi që dhanë myslimanët shqiptarë duket se ishte i qartë për kupolën turke/ Pamfleti