Politike 2 Mars 2024, 19:30

Rama nis fushatën elektorale dhe 'kërcënon' opozitën: Në 2025 do të marrim një fitore më të madhe se në 2021!

Shkruar nga Pamfleti
Rama nis fushatën elektorale dhe 'kërcënon'
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka nisur fushatën elektorale një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, me opozitën që ende qëndron e përçarë në disa grupe.

Kryeministri Edi Rama, ishte sot në Elbasan në mbledhjen e dy organizatave të Partisë Socialiste të bashkisë Elbasan, ku theksoi se në 2025 PS duhet të marrë një fitore më të madhe sesa e mëparshmja.

Në mbledhjen ku merrnin pjesë deputetë, të zgjedhur vendorë e të deleguar të Asamblesë Kombëtare, kreu i qeverisë, njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, foli për nevojën e rienergjizimit të partisë dhe strukturave. 

Rama njoftoi se takime të tilla do të vazhdojnë në të gjithë vendin.

“Jo rastësisht unë erdha për të takuar dy organizata të Partisë Socialiste dhe jo vetëm drejtuesit, deputetët me të cilët takohemi zakonisht dhe po kështu do të shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizatat socialiste.

Ne, falë faktit që kemi punuar seriozisht, falë faktit që jemi organizuar mirë, falë faktit që jemi angazhuar më shumë se të tjerët, kemi arritur diçka që në fillim, kur morëm këtë detyrë, dukej e pamundur. Kemi arritur që të marrim dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët

Partia Socialiste duhet të jetë në gjendje që të ruajë lidershipin, të garantojë hegjemoninë e vet në jetën politike shqiptare. Ne na duhet një rienergjizim i organizatës së Partisë Socialiste, në radhë të parë, dhe pastaj një rienergjizim i strukturave tona më lart dhe një rienergjizim i gjithë procesit qeverisës. Ne, në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe sesa e mëparshmja.”, u shpreh Rama

Ndërkohë opozita vazhdon  të jetë e përçarë.

Pas bashkimit me grupin e Rithemelimit, Gazment Bardhi duket se ka marrë ‘shpërblimin’ nga Sali Berisha, në arrest shtëpie për të marrë frenat e Rithmelimit.

Të martën e 5 marsit do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Rithemelimit, ku anëtarët pritet të miratojnë disa ndryshime statutore të cilat do t’i hapin rrugë ndryshimeve në strukturat e partisë.

Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të bëhen nënkryetarë të Rithemelimit, krahas dy nënkryetarëve të tjerë Luçiano Boçit dhe Oerd Bylykbashit. Sipas ndryshimeve që pritet të miratohen, kreu i grupit parlamentar, Bardhi, merr njëkohësisht edhe funksionin e nënkryetarit.

Ndërsa Lulzim Basha, kryetari zyrtar i PD qëndron jashtë këtij bashkimi Bardhi-Berisha.

rama nis fushatën