TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Prill 2025, 12:02

Profil: A do të jetë Adriatik Lapaj, një ‘Ilir Meta’ i ri i politikës në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

 

Profil: A do të jetë Adriatik Lapaj, një ‘Ilir Meta’
Adriatik Lapaj /

Lapaj, ka arritur që për fare pak kohë të shfrytëzonte boshllëkun e lënë bosh nga deputetët e PD, të cilët i hynë garës se kush do t’i pëlqente më shumë Sali Berishës...

Adriatik Lapaj është kthyer prej kohësh në njeriun më të diskutuar, madje edhe më shumë sesa dy protagonistët kryesorë politikë.

Në internet, Lapaj është politikani më i klikuar, sidomos pas sondazheve që i japin në një kuotë të lartë koalicionit të tij me nismën Thurje, duke kapur nivelet që as LSI e Ilir Metës nuk i kishte.

Pikërisht prej kësaj rritje duket se është provokuar edhe një luftë e vërtetë ndërmjet partive të reja, ku kulmin e arriti në replikën me Agron Shehajn.

Replikë që e ka kthyer për disa ditë në qendër të fushës këtë protagonizëm, i cili i jep vizibilitet në publik, sidomos tek elektorati jo fanatik i Berishës por që është kundër qeverisë.

Debati që provokoi Agron Shehaj duket se atë e ka ndihmuar pak, por nga ana tjetër i kanë dhënë Adriatik Lapajt një fushë më të madhe loje. Natyrisht me një stil teatral në rrjete sociale, ku po përdoret një skemë e thjeshtë.

Sulmet e forta ndaj Edi Ramës, përkrahje e pandalur ndaj SPAK, e kritika ndaj Sali Berishës.

Nuk është vetëm Lapaj që e kryen këtë performancë, por edhe të tjerë aktivistë të kësaj force, të cilët janë superaktivë në videot virale që sulmojnë egërsisht Edi Ramën dhe qeverinë.

Është pikërisht kjo mënyrë teatrale që i ka dhënë një rritje ekspansive kuotave të Adriatik Lapajt, i cili edhe në sondazhet mes politikanëve, është personazhi i dytë pas Edi Ramës.

Mund të jetë padyshim e kritikueshme, e shumë mund të mos e pëlqejnë këtë mënyrë të të bërit politikë, megjithatë, rritja e kuotave të Adriatik Lapajt është frikshme.

Në sondazhin e fundit të ‘Agi Recerche’, ku qytetarëve ju ishte kërkuar të bënin një vlerësim të politikanëve aktualë: Adriatik Lapaj ishte i dyti me 35% të preferencave. i treti ishte Agron Shehaj me 34%. Vërtetë një diferencë e vogël, por gjithsesi në krye është Lapaj. Çka e bën atë pas zgjedhjeve si politikanin më të mundshëm për të marrë lidershipin e një opozite të re dhe të ndryshuar.

Lapaj, ka arritur që për fare pak kohë të shfrytëzonte boshllëkun e lënë bosh nga deputetët e PD, të cilët i hynë garës se kush do t’i pëlqente më shumë Sali Berishës.

Këtë boshllok, Lapaj e fitoi duke hyrë në duele të forta me emra të njohur të PS-së, që nga Edi Rama e Erion Braçe. Kështu, ditë për ditë, edhe pse me metoda teatrale, avokati nga Saranda, arriti të shihej si një mundësi e një opozite të re.

Përkatësisht deri sa të mendohen politikanët e kompleksuar të PD-së që dridhen nga frika e Saliut, Lapaj arriti të zërë hapësirën boshe.

Lapaj ka mjaft pikëpyetje në aktivitetin e tij, në mungesën e transparencës së investimeve, në autoritarizmin e drejtimit të lëvizjes, mungesën e një kolegjialiteti politik, protagonizmin e ekzagjeruar e të tjera e të tjera.

Por fakt është se ai e ka kaluar ylberin e njeriut më të kuotuar në opozitë, e sipas të gjitha gjasave pas zgjedhjeve, bashkë me Agron Shehajn, ata janë të parët që mund të luftojnë për kreun e një opozite të re, e cila nuk ka përse të jetë një parti, por një formacion ndryshe./Pamfleti

adriatik lapaj profil

Lini një Përgjigje