Politike11 Prill 2023, 18:13

Programi për mbështetjen e familjeve, Luçiano Boçi: Ekonomia prioritet, por edhe gratë duhen ndihmuar

Shkruar nga Pamfleti

 

Programi për mbështetjen e familjeve, Luçiano Boçi:

Kandidati i opozitës për bashkinë e Elbasanit Luçiano Boçi ka folur ditën e sotme në lidhje me programin për të mbështetur familjen, ku ka theksuar se prioriteti i tij është ekonomia.

Gjatë fjalës së tij në një takim të organizuar nga Partia e Lirisë, Boçi u shpreh se atësia dhe amësia janë thelbi i një familje të shëndoshë që është vlera e shoqërisë që ecën përpara dhe zhvillohet.

Boçi gjithashtu tha se gratë duhen mbështetur në jetën e tyre në familje dhe karrierën profesionale për shkak të rolit të trefishtë që kanë në shoqëri, duke shtuar se përkujdesja e tyre duhet të jetë vëmendje e shtuar ndaj pushtetit lokal.

“Shoqëria shqiptare është në një goditje të vazhdueshme ekonomike dhe politike. Kjo goditje mbartet te familja shqiptare. Ka një agresion ndaj familjes në aspektin e zbatimit të disa axhedave që në pikëpamjen e familjes tradicionale janë të papranueshme. Sepse atësia dhe amësia janë thelbi i familjes, dhe jo prindi 1 dhe prindi 2. Një familje e shëndoshë është vlera e një shoqërie që ecën përpara dhe zhvillohet. Unë takimin e parë e kam nisur me gratë e Partisë Demokratike. Nuk e nisa kot sepse thashë që në çdo politikë fokusi është familja.

Amësia është thelbi i familjes që lidhet me kujdesin e atësisë. Nëse do nisesha nga rrëfenjat profetike do të tregoja të bukurën për gruan që zoti e krijoi nga brinja e burrit dhe nuk e vendosi as sipër kokës së tij dhe as poshtë këmbëve por afër zemrës. Vëmendja ime është te ekonomia, te arsimi. Të shëndetësia dhe te turizmi që kanë si qëllim shëndoshjen e ekonomisë së familjes shqiptare.

Gruaja në Shqipëri ka një jetë të trefishtë. Është nëna që rrit fëmijët, ka jetën e saj profesionale të cilës duhet t’i përkushtohet sikurse duhet të jetë edhe përkujdesje e brezit të tretë. Kjo krijon këto lloj vështirësish që duhen konsideruar dhe shoqëria dhe pushtete politike duhet të marrin iniciativa për të lehtësuar pozicionin e gruas. Investimi për fëmijët është investim për gruan. Gruaja ka edhe rolin e saj brenda familjes. Duhen mbështetur edhe në karrierat e tyre profesionale. Unë mendoj që nuk është çështje matematike përqindje, por e vlerave të një shoqërie.

Shoqëria ka nevojë për mënyrën si gruaja e sheh dhe e trajton ambientin dhe qeverisjen. Duhet ta shohim Elbasanin me dashurinë e një gruaje që është gjëja më magjike. Do ishte e tepërt të thoja që në Bashkinë e Elbasanit gruaja do të ketë vëmendje të posaçme. Në këtë sallë gratë mbartin dhe shpalosin vlera të patjetërsueshme. Gratë janë pjesa më e shëndoshë e një qeverisje. Prandaj kjo përkujdesje ndaj gruas duhet të jetë vëmendje e shtuar ndaj pushtetit lokal”, deklaroi Boçi.

luciano boci program familje ekonomi